KDI: Kuvendi duhet të jetë promotor i transparencës dhe jo cenues i saj

Prishtinë | 05 Pri 2017 | 17:01 | Nga

Instituti Demokratik i Kosovës, ka reaguar ndaj mbylljes së Komisionit për Stabilizim Asociim, i cili po vazhdon të mbajë mbledhjet pa prezencë të medieve.

KDI konsideron se progresi në zbatimin e MSA-së është në interes të publikut dhe si i tillë nuk përbën arsye që të mbahet larg vëmendjes së qytetarëve.

Ky është reagimi i plotë:

Transparenca e Kuvendit është një nga parimet bazë të demokracisë. Për shkak të funksionit të vet përfaqësues, Kuvendi duhet të jetë lider dhe model për institucionet e tjera në garantimin dhe promovimin e transparencës dhe llogaridhënies institucionale. Transparenca është vendimtare për kontroll të qytetarëve ndaj përfaqësuesve të zgjedhur, dhe siguron që interesat e tyre po përfaqësohen drejtë.

Dy mbledhjet e fundit të mbajtura nga Komisionit parlamentar për Stabilizim Asociim, ku në plan të ditës ka qenë raportimi i ministrave lidhur me masat e ndërmarra për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), janë mbyllur për publikun dhe mediat. Mbledhjet e komisioneve të Kuvendit, në parim janë të hapura, me përjashtim të rasteve të specifikuara me Rregulloren e Kuvendit. KDI konsideron se progresi në zbatimin e MSA-së është në interes të publikut dhe si i tillë nuk përbën arsye që të mbahet larg vëmendjes së qytetarëve.

Po ashtu, konsiderojmë si të dëmshme mos mbajtjen e rregullt e seancave plenare, të cilat kanë dobësuar rolin e Kuvendit në ushtrimin e kompetencave të tij dhe përfaqësimin e qytetarëve. Si rrjedhojë e kësaj, seancat po ngarkohen me shumë pikat të rendit të ditës që shkon në dëm të debatit përmbajtjesor dhe shqyrtimit kualitativ të projektligjeve.

Deri më tani Kuvendi ka përmbushur vetëm 14% të agjendës së tij legjislative për vitin 2017, e që nëse vazhdohet me këtë ritëm sërish do të ketë ngecja në përmbushje të projektimeve. Kjo bëhet edhe më e vështirë kur kemi parasysh një element negativ që po e pecjell Legjislaturën e V-të të Kuvendit, që është dështimi në arritjen e kuorumit për të mbajtur seanca. KDI edhe një herë iu bën thirrje deputetëve që të jenë më të përgjegjshëm ndaj mandatit që kanë marrë dhe përmbushjen më me përkushtim të obligimeve të tyre ligjore dhe kushtetuese.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme