Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka publikuar raportin e rregullt të monitorimi të Kuvendit për sesionin pranveror 2016. Vështirësitë me të cilat është ballafaquar Legjislatura e V-të e Kuvendit kanë qenë të shumta, ndonëse më shumë të natyrës politike. Inatet e akumuluara gjatë konstituimit të Kuvendit dhe krizës politike të atëhershme, kanë reflektuar edhe përgjatë vazhdimit të mandatit.
Pavarësisht produktivitetit të ulët, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë qenë mjaft aktiv sa i përket udhëtimeve jashtë vendit, duke realizuar 128 udhëtime. Këto udhëtime i kanë kushtuar buxhetit të Kuvendit rreth 110 mijë euro.
Në vazhdim mund ta lexoni raportin e plotë të KDI-së për punën e Kuvendit gjatë sesionit pranveror:
Kundërshtimi i Marrëveshjes për asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, kanë mbizotëruar në diskutimet e deputetëve, edhe pse asnjëra prej këtyre dy marrëveshjeve nuk ka qenë zyrtarisht për shqyrtim në seanca plenare.
Zgjedhja e Presidentit, si rrallë në ndonjë vend, është shoqëruar me hedhje të gazit lotsjellës në seancë duke u pasuar me arrestimet e deputetëve të subjekteve opozitare. Punimet e Kuvendit në pjesën më të madhe të sesionit janë bojkotuar nga opozita. Mbledhjet e komisioneve parlamentare ku kryetarët kanë qenë nga opozita, gjatë periudhës së bojkotit janë udhëhequr nga zëvendëskryetarët.
Gjatë periudhës raportuese është vërejtur se puna e komisioneve parlamentare nuk ka qenë shumë produktive. Bojkotimi i mbledhjeve të komisioneve nga partitë opozitare ka ulur dukshëm konstruktivitetin e debatit dhe ka ndikuar në mbarëvajtjen e mbledhjeve, pasi që në mungesë kuorumi 19 mbledhje kanë dështuar të mbahen. Komisionet parlamentare kanë mbajtur gjithsej 223 mbledhje të rregullta dhe 13 dëgjime publike. Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2015 janë mbajtur më pak 63 mbledhje të rregullta dhe 19 dëgjime publike.
Edhe seancat plenare nuk bëjnë përjashtim. Volumi i tyre krahasuar me periudhat e mëhershme ka pësuar rënie për rreth 39%. Në këtë sesion janë mbajtur 14 seanca plenare. Në vitin 2015, në sesionin pranveror, Kuvendi kishte mbajtur 23 seanca plenare apo 9 më shumë. Numri i vogël i seancave ka ulur produktivitetin e punës së Kuvendit. Kuvendi i ka zhvilluar punimet pa miratuar një plan të punës, siç parashihet me Rregullore. Është shënuar diskrepancë midis asaj se çfarë kishte planifikuar Qeveria te sillte në Kuvend dhe çfarë në të vërtetë dorëzoi. Prej 87 projekt-ligjeve të premtuara në Kuvend erdhën vetëm 23.
Gjithsej programi legjislativ i Kuvendit ka përmbajtur 135 projektligje, duke u bazuar në planet e punës të miratuar nga komisionet. Nga këto projektligje, në sesion pranveror janë miratuar 35 ligje (25.9%), në procedurë të komisioneve parlamentare kanë mbetur 20 projektligje (14.8%) përderisa 80 (59%) të tjera nuk janë dorëzuar ende në Kuvend nga Qeveria. Sfiduese për Kuvendin vazhdon të mbetet inicimi i legjislacionit. Kuvendi ka ndërmarrë vetëm një nismë ligjore. Duhet theksuar se një projektligj tjetër që është bartur nga viti i kaluar ka qenë iniciativë qytetare. Të gjitha projektligjet tjera të shqyrtuara janë të sponsorizuara nga Qeveria.
Shumë pak janë shfrytëzuar mekanizmat e mbikëqyrjes së ekzekutivit, ku është shënuar dobësim i rolit mbikëqyrës të Kuvendit. Gjithsej janë parashtruar 83 pyetje parlamentare, prej të cilave 45 (54%) kanë marrë përgjigje kurse 38 (46%) janë refuzuar nga anëtarët e kabinetit qeveritar. Mbetet shqetësues fakti që prej 120 deputetëve vetëm 24 kanë parashtruar pyetje parlamentare, përderisa 96 deputetë të tjerë nuk kanë parashtruar asnjë pyetje parlamentare. Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ku janë parashtruar 201 pyetje parlamentare, këtë vit janë 118 më pak. Është paraparë mbikëqyrja e zbatimit të 23 ligjeve. Nga numri i përgjithshëm i ligjeve të planifikuara për t’u mbikëqyrur, vetëm për 5 prej tyre është arritur të dorëzohen raportet në Kuvend, kurse 18 të tjera kanë mbetur të pa mbikëqyrura. Në procedurë të mbikëqyrjes kanë mbetur edhe shtatë ligje të tjera.
Nga krahasimi i lojalitetit të deputetëve ndaj qëndrimeve të grupeve të tyre parlamentare, ka dalë se grupi parlamentar që ka pësuar më së shumti rritje të lojalitetit për 2% është Lista Serbe, kurse grupi parlamentar i PDK-së dhe LDK-së kanë shënuar ulje të nivelit të lojalitetit për 2%. Ndërsa grupet e tjera parlamentare nuk kanë pësuar ndryshime.
Pavarësisht produktivitetit të ulët, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë qenë mjaft aktiv sa i përket udhëtimeve jashtë vendit, duke realizuar 128 udhëtime. Këto udhëtime i kanë kushtuar buxhetit të Kuvendit rreth 110 mijë euro. Kuvendi ka shënuar progres sa i përket transparencës financiare. Shpenzimet e Kuvendit, ndonëse me vonesë, janë publikuar në mënyrë më të detajuar. Qasja në dokumente publike është mjaftë e kënaqshme. Mbledhjet e Kryesisë dhe të trupave të tjerë të Kuvendit janë të hapura.
Me qëllim të përmirësimit të punës së Kuvendit dhe rritjes së efikasitetit, KDI jep rekomandimet e mëposhtme:
• Buxheti t’i nënshtrohet debatit parlamentar dhe konsultimeve me publikun
• Të bëhet konsolidimi i ligjeve
• Të bëhet rregullimi i procedurave të përshpejtuara për miratim të ligjeve në Kuvend
• Zëvendësimi i ministrave të votohet nga Kuvendi
• Të parashihen sanksione për rastet e mos miratimit të raporteve të institucioneve të pavarura nga Kuvendi
• Krijimi i Ministrisë Pa portofol për Marrëdhënie me Kuvendin
• Hartim i planit të punës së Kuvendit