KE: “Pasaportat e arta” të qeverisë Rama i hapin dyert krimit të organizuar

Prishtinë | 30 Gus 2022 | 16:03 | Nga Ekonomia Online

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero-Hernandez, flet për DW mbi rreziqet potenciale të zbatimit të projektit të qeverisë së Tiranës për dhënien e shtetësisë të huajve që mund të investojnë në Shqipëri.

DW: Cilat janë dispozitat e legjislacionit të BE, me të cilat bie ndesh projekti i qeverisë së Tiranës, për dhënien e shtetësisë shqiptare të huajve, që mund të investojnë në Shqipëri, pra dhënien e të ashtuquajturave, ”pasaporta të arta”?

Ana Pisonero-Hernandez: BE-ja respekton të drejtën e vendeve sovrane për të vendosur mbi mënyrën e dhënies së shtetësisë. Në të njëjtën kohë, konteksti aktual i agresionit rus kundër Ukrainës, nxjerr më tej në pah, rreziqet që paraqesin skemat e shtetësisë për investitorët e huaj dhe nevojën e hapave të menjëhershme. Këto janë programe që ofrojnë shtetësinë në këmbim të një pagese ose investimi të paracaktuar dhe pa një lidhje reale me vendin në fjalë.

DW: Znj. Pisoreno-Hermandez, sapo përmendët rreziqet, por cilat janë ato nëse ky projekt megjithë paralajmërimet e KE, do të ecë drejt zbatimit?

Ana Pisonero-Hernandez: Rreziqet përfshijnë infiltrimin e krimit të organizuar, pastrimin e parave, evazionin fiskal dhe korrupsionin nëpërmjet aplikantëve të mundshëm nga vendet e treta. Komisioni i konsideron këto skema në shkelje të ligjit të BE-së dhe ka nisur në vitin 2020 procedurat kundër shteteve anëtare që e kanë shkelur këtë ligj. Për shkak të perspektivës së shtetësisë së ardhshme të BE-së, kombësia e vendeve kandidate mund të bëhet gjithnjë e më tërheqëse për investitorët.

DW: BE hapi zyrtarisht negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë në korrik të këtij viti, pikërisht me rishikimin analitik të legjislacionit shqiptar, me synimin / kërkesën shumëvjeꞔare që legjislacioni kombëtar të jetë në përputhje me atë të BE-së. Sipas strategjisë së re të zgjerimit të BE-së, procesi i anëtarësimit është i kthyeshëm nëse nuk ka progres në përmbushjen e kërkesave të këtij procesi. A përbën konflikti i këtij projekti me ligjin e BE një mundësi të tillë?

Ana Pisonero-Hernandez: BE-ja po monitoron, në kuadrin e procesit të anëtarësimit në BE, çdo plan nga vendet kandidate për të futur skemat e shtetësisë. Aktualisht jemi duke përgatitur raportet e ardhshme vjetore të paketës së zgjerimit, që pritet të prezantohen në tetor.

DW: Ministrat e Jashtëm të BE do të takohen këtë javë, të mërkurën, më 31 gusht në Pragë për të diskutuar arrestimin nga Policia e Shtetit të dy rusëve, një ukrainas dhe katër çekë që donin të fotografonin dy uzinat e armëvë në Shqipëri, në Gramsh dhe në Poliçan. Të dyja këto incidente tregojnë që paralajmërimet e BE-së për rreziqet ndaj sigurisë kombëtare të Shqipërisë, në kuadrin e agresionit rus kundër Ukrainës, janë reale,të bazuara. Cilat janë pritshmëritë e BE-së nga ky takim? A do të jetë pjesë e agjendës së këtij takimi çështja e “Pasaportave të Artë” nga Shqipëria?

Ana Pisonero-Hernandez: Po ndjekim njoftimet për incidentin në objektin ushtarak në Gramsh. Presim një hetim të plotë nga autoritetet përkatëse shqiptare, i cili tashmë ka nisur. Para së gjithash, dy ushtarëve shqiptarë të plagosur i urojmë shërim të shpejtë. Shqipëria dhe BE kanë një partneritet të ngushtë për çështjet e sigurisë.

Të ngjashme