Komisioni Europian prezanton të martën, progres-raportet për vendet që aspirojnë integrimin në BE. Paketa e zgjerimit, pritet të konstatojë përparim të kufizuar të këtyre shteteve drejt përmbushjes së kritereve për integrimin ne bllok.
Sipas draft-raporteve të para nga Europa e Lirë, Komisoni Europian do të përsërisë qëndrimin e shprehur edhe më herët se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë përmbushur të gjitha kushtet për nisjen e negociatave të anëtarësimit.
Sa i përket Kosovës, Komisioni Europian konstaton se pas një periudhe të paqëndrueshmërie politike, tani është formuar qeveria me shumicë të paprecedentë. Por rrethanat e krijuara nga mungesa e stabilitetit dhe pasojat e pandemisë kanë ndikuar që progresi në zbatimin e reformave të jetë i kufizuar.
Progres-raportet pritet të miratohen të martën nga Kolegji i Komisionerëve dhe do të prezantohen para deputetëve të Parlamentit Evropian, nga Oliver Varhelyi, komisioneri për zgjerim i BE-së.
Nga të gjitha shtetet e rajonit, Komisioni Evropian do të kërkojë që të bëhen më shumë përpjekje në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në ndërtimin e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal, dhe fokus i veçantë në sundimin e ligjit.