Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit në mbledhjen e Këshillit për Mbrojtjen e Konsumatorit, ku u prezantua edhe Draft Programi për Mbrojtjen e Konsumatorit 2026–2030, ka gjobitur KEDS-in me 40,000 euro për njehsorët elektrikë.
Kjo, u bë e ditur përmes një komunikate për media, në të cilën thuhet se vetëm gjatë dy ditëve të fundit, në laboratorin e Agjencisë së Metrologjisë janë verifikuar 19 njehsorë, prej të cilëve 7 kanë rezultuar pa afat të vlefshmërisë, ndërsa një njehsor është konstatuar pa lejim tipi.
“Raportet zyrtare të laboratorit janë proceduar në Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut për ndërmarrjen e masave ligjore dhe shqiptimin e gjobave ndaj KEDS-it, në vlerë prej 40,000 eurosh”, thuhet në komunikatë.
Komunikata e plotë:
Është mbajtur mbledhja e radhës e Këshillit për Mbrojtjen e Konsumatorit, ku u prezantua edhe Draft Programi për Mbrojtjen e Konsumatorit 2026–2030.
Përveç pikave të rendit të ditës, në këtë mbledhje, u prezantuan informata lidhur me aksionet e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, të fokusuara në monitorimin e çmimeve të derivateve, njehsorëve elektrikë dhe produkteve të qumështit me bazë bimore në treg.
Vlen të theksohet se po vazhdon procesi i verifikimit të njehsorëve elektrikë të konsumatorëve që kanë paraqitur ankesa. Vetëm gjatë dy ditëve të fundit, në laboratorin e Agjencisë së Metrologjisë janë verifikuar 19 njehsorë, prej të cilëve 7 kanë rezultuar pa afat të vlefshmërisë, ndërsa një njehsor është konstatuar pa lejim tipi.
Raportet zyrtare të laboratorit janë proceduar në Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut për ndërmarrjen e masave ligjore dhe shqiptimin e gjobave ndaj KEDS-it, në vlerë prej 40,000 eurosh.
Këshilli për Mbrojtjen e Konsumatorit gjithashtu ka diskutuar për adresimin sa më të shpejtë të rasteve dhe mënyrat e kompensimit të dëmit ndaj konsumatorëve.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit gjatë tre muajve të fundit ka ndërmarrë një sërë masash proaktive për trajtimin e ankesave të konsumatorëve.
Si tregues i rritjes së besimit institucional të qytetarëve konsiderohet edhe rritja prej 35% e numrit të ankesave, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.