Ish-anëtari i grupit muzikor “Europe”, Kee Marcelo theksoi se kur ka mbërritur në Rahovec, ka mbetur i mahnitur nga pamja e bukur, vreshtat e shumta, ndërsa premtoi se sonte do të përformojë hitet më të mira të grupit “Europe” të viteve të 80-ta dhe të 90-ta.
Marcelo bëri këtë deklaratë në konferencën e organizuar në ditën e dytë Festivalit të rrushit “Hardh Fest” që po mbahet në Rahovec.
Ai paraqiti përshtypjet e tij të para për Rahovecin dhe Kosovën, ku tha se ka bërë një video dhe ia ka dërguar gruas se tij, e cila e ka mbetur e mahnitur nga ajo që ka parë dhe e ka pyetur ”A je në parajsë?”.
“Unë kam përgatitur për të përformuar një listë të veçantë të këngëve të grupit ‘Europe’, janë këngët më të rëndësishme të periudhës sime dhe të karrierës sime që kam pasur në grupin. Është hera e parë që jam në Kosovë dhe jam shumë i lumtur që përformoj për ju me këngët e kohës sime. Ju do t’i dëgjoni të gjitha hitet e periudhës sime, që kemi pasur me grupin gjatë viteve të 80-ta dhe të 90-ta”, tha ai.
Ai tha se qytetarët e Kosovës janë shumë miqësore dhe janë të ngjashëm me suedezët, transmeton kp.
“Nuk është se kam dëgjuar shumë për Kosovën, por njerëzit e din pak a shumë historinë dhe unë kam përshtypjet jashtëzakonisht të mira për Kosovën. Ajo që së pari kam pa kur kam arritur këtu, është se njerëzit këtu janë shumë të dashur, janë shumë miqësor. Flasin me ju. Njerëzit mi kujtojnë suedezët”, tha ai dhe shtoi se do të kthehet përsëri në Kosovë, pasi siç tha ”sapo të më mbarojnë verërat dhe djathi do të vi sërish për të blerë në Kosovë”.
Koncerti do të jetë falas për të gjithë qytetarët që dëshirojnë ta përcjellin.