KEK reagon ndaj raportimit të Klan Kosovës dhe paralajmëron ankesë në KPM: E vërteta nuk mund të redaktohet me titra

Prishtinë | 20 Jan 2026 | 16:28 | Nga Ekonomia Online

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka reaguar ndaj një raportimi televiziv të Klan Kosovës, duke e cilësuar atë si keqinformues dhe në kundërshtim me realitetin ligjor e institucional.

Në komunikatën e saj, KEK sqaron se në edicionin qendror të lajmeve të orës 20:00, më 18 janar 2026, u transmetuan pamje nga një protestë e qytetarëve ku, sipas saj, “realiteti në terren është i qartë dhe i dokumentuar vizualisht: qytetarët protestojnë kundër KEDS-it”, kompani e licencuar për operimin e rrjetit të shpërndarjes dhe furnizimin me energji elektrike.

“Megjithatë, gjatë gjithë raportimit televiziv, si narrativi i lajmit ashtu edhe titrat, ia atribuojnë këto problematika KEK sh.a., duke krijuar një kundërthënie të qartë dhe flagrante ndërmjet asaj që paraqitet në pamje dhe asaj që komunikohet për publikun”, thuhet në reagim.

KEK thekson se gjatë kronikës janë përdorur titra si “Blloqet e KEK-ut – Ndreqet njëri e ndalet tjetri”, të cilat, sipas saj, “nuk përputhen me realitetin e paraqitur në pamje dhe me deklaratat e vetë qytetarëve”.

Në komunikatë, KEK rendit edhe faktet që i konsideron të pakontestueshme: “KEK sh.a. nuk operon rrjetin e shpërndarjes; KEK sh.a. nuk është i licencuar për furnizimin e konsumatorëve të rregulluar; KEK sh.a. është prodhues i energjisë elektrike, në përputhje me licencën përkatëse”.

“Paraqitja e KEK sh.a. si përgjegjës për çështje që lidhen me furnizimin, cilësinë e dobët të tensionit apo ndërprerjet në rrjet përbën keqinformim të opinionit publik dhe bie ndesh me parimet themelore të gazetarisë profesionale”, vlerëson KEK, duke shtuar se kjo “nuk është çështje interpretimi editorial, por çështje kompetencash ligjore të përcaktuara qartë”.

“Kurse pankartat flasin për KEDS, ndërsa si narrativi i lajmit ashtu edhe titrat fajësojnë KEK-un, publiku nuk informohet – por çorientohet”, thuhet më tej.

Për këtë arsye, KEK njofton se do të parashtrojë ankesë pranë Komisionit të Pavarur të Mediave. “KEK sh.a. paralajmëron parashtrimin e ankesës së menjëhershme pranë KPM-së, me qëllim që të sigurohet që raportimi mediatik të jetë i saktë, i balancuar dhe në përputhje me realitetin institucional dhe ligjor”, përfundon komunikata.

“E vërteta nuk mund të redaktohet me titra”, thuhet në reagimin e KEK-ut.

Të ngjashme