Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka dërguar një komunikatë pas mesnatës, pas raportimeve gjatë ditës se Kompania GEN me zyrë Beograd, të cilës i plasi një skandal në Slloveni, ku dyshohet se përfshihet edhe ambasadori kosovar, Martin Berishaj, ka marrë miliona euro nga buxheti i shtetit gjatë krizës energjetike të muajve të dimrit.
KEK-u s’e përmend raportimin fare, por vetëm ka dërguar një sqarim për importin dhe eksportin e energjisë.
Sipas tyre, eksporti bëhet vetëm kur paraqiten tepricat dhe zakonisht gjatë natës.
SQARIMI I PLOTË:
KEK: Sqarim rreth eksportit/importit të energjisë elektrike
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) njoftonë opinionin se tregtimi i energjisë elektrike (eksporti) nga KEK-u bëhet kryesisht kur paraqiten tepricat pasi të përmbushen nevojat e konsumit vendor. Tepricat zakonisht shfaqen (natën) në intervalin kohor nga ora 01:00 deri në orën 07:00 eventualisht deri 09:00 (rrallë herë).
Bazuar në procedurat e brendshme, KEK fillimisht deklaron prodhimin e energjisë elektrike për konsum vendor, pra për nevojat e konsumit të Shërbimit Universal si dhe mbulimin e humbjeve. Si rrjedhojë, në rastet kur shfaqen tepricat fillimishte i ofrohen KESH-it (shkembim) e pjesa e mbetur e energjise (nese mbetet) atëherë plasohet ne treg përmes tregëtareve të licencuar nga ZRRE-ja.
Ndërsa sa i përketë tregtimit të energjisë elektrike (si eksportit po ashtu edhe importit), çmimin kryesisht e përcaktojnë kërkesa dhe oferta. Prandaj duhet të kemi parasysh faktin se në rastin kur rritet kërkesa për energji elektrike gjithashtu rritet edhe çmimi i energjisë elektrike dhe e kundërta ndodhë me eksportin, pra kur rritet oferta për energji elektrike çmimet janë më të ulëta.
Lidhur me këtë ju bëjmë me dije se çmimi i importit të energjisë elektrike zakonishtë është më i lartë në raport me çmimin e eksportit të energjisë elektrike, kjo për faktin se nevoja për import të energjisë elektrike shfaqet në kohën e pikut apo në kohën e konsumit maksimal (ditën), pra kohën kur ka mungesë të energjisë elektrike vendore por edhe në vendet e rajonit e më gjerë.
Ndërsa eksporti i energjisë elektrike nga KEK-u zakonisht realizohet në kohën kur ka teprica të energjisë elektrike dhe ajo zakonishtë bëhet natën. Vlenë të theksohet se gjatë kohës së natës përveç se shfaqen teprica të energjisë elektrike vendore, gjithashtu shfaqen tepricat edhe tek vendet e rajonit dhe më gjërë.
Me respekt,
Departamenti për Marrëdhënie
me Publikun dhe Komunitete
KORPORATA ENERGJETIKE E KOSOVES