Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) dhe Komuna e Obiliqit nënshkruan memorandum bashkëpunimi, i cili parasheh ndërtimin e brezit të gjelbër përreth Termocentralit Kosova A.
Ky memorandum përfshinë segmentin që shtrihet pranë rrugës rajonale që lidh Prishtinën me Obiliqin, nga rreth rrotullimi në hyrje të kësaj komune e deri te hyrja 03 e TC-Kosova A.
Ushtruesi i detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv të KEK-ut, Luigj Imeri ka thënë se ky memorandum, tregon edhe njëherë për angazhimin që e ka Korporata në përmirësimin e ambientit për qytetarët e kësaj komune.
“Sot e nënshkruam edhe një obligim ligjor, i cili rrjedh nga Ligji për Komunën e Obiliqit, i cili e atakon drejtpërdrejt qytetarin e vendit, i cili memorandum nis projektet, të cilat ne i kemi planifikuar për çështjen e ambientit. Me këtë projekt reflektojmë edhe njëherë që Korporata Energjetike e Kosovës është shumë miqësore dhe do të jetë shumë afër, dhe e ka në fokus dhe në prioritet numër një, investimet të cilat do të ndodhin ambient”, ka thënë, u.d. i kryeshefit Ekzekutiv të KEK-ut, Luigj Imeri.
Përderisa kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi deklaroi se me ardhjen e menaxhmentit të ri në KEK, është përmirësuar dukshëm bashkëpunimi.
“Që nga ndryshimi i menaxhmentit të KEK-ut, bashkëpunimi ka filluar i mirë me komunën. Sot nënshkruam një memorandum për zgjerimin apo shtyrjen e rrethojës për diku rreth 8 metra, më c’rast do të filloj edhe implementimi i ligjit të Obiliqit për krijimin e brezit të sigurisë në këtë rast bankinat dhe brezin e gjelbër. Gjithashtu komuna merr përsipër që pjesën e mbetur të rregullohet trotuari dhe pjesa e pistës së biçikletave me një brez të gjelbër”, ka thënë kryetari i kësaj komune, Xhafer Gashi.
Përderisa ky memorandum është nismë që KEK-u e ka për përmirësimin e ambientit brenda 5 viteve të ardhshme.