KEK-u më shumë se dy vite e gjysmë me ushtrues detyre të kryeshefit, që nga koha kur ishte arrestuar Nagip Krasniqi

Prishtinë | 09 Jan 2026 | 14:21 | Nga Ekonomia Online

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) që nga muaji prill i vitit 2023 është duke funksionuar me ushtrues detyre të kryeshefit ekzekutiv të ndërmarrjes, që kur ishte arrestuar kryeshefi i atëhershëm, Nagip Krasniqi.

Që nga ajo kohë janë emëruar tre persona të ndryshëm në pozitën e ushtruesit të detyrës së kryeshefit, ndërsa dy konkurse të shpallura nga KEK-u, kishin dështuar.

Kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të KEK-ut, Valdrin Krasniqi, nuk ka pranuar që të deklarohet përmes telefonit në lidhje me këtë çështje, duke thënë se shumë shpejtë ndërmarrja do të dalë me një njoftim, shkruan Kallxo.com

“Nuk mund të deklarohem tash, pasi që shumë shpejtë do të dalim me një njoftim rreth konkursit”– ka thënë shkurtimisht përmes telefonit Krasniqi.

Deri në publikimin e këtij shkrimi KEK-u nuk u është përgjigjur as pyetjeve me shkrim, rreth konkursit të ri për kryeshef.

Ushtruesi aktual i detyrës së kryeshefit të KEK-ut është Gramos Hashani. Ai ishte emëruar në këtë pozitë më 28 shkurt të vitit 2025.

Para tij ka qenë Bekir Gërguri. Ai ushtrues detyre kishte qëndruar për një vit, që nga 22 shkurti i vitit 2024.

Ndërsa para Gërgurit, ushtrues detyre i kryeshefit të KEK-ut ka qenë Përparim Kabashi.

Më 25.04.2023, Bordi i KEK-ut kishte suspenduar kryeshefin ekzekutiv të ndërmarrjes, Nagip Krasniqi pasi ai ishte arrestuar me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës më 19.04.2023 nën dyshimet për tri vepra penale, të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, ushtrimit të ndikimit dhe konfliktit të interesit.

Krasniqi kishte qëndruar në paraburgim për disa muaj, ndërsa Gjykata Themelore në Prishtinë më 15.09.2023 e liroi atë nga paraburgimi.

Çka thotë Ligji?

Ligji për Ndërmarrjet Publike nuk e përcakton specifikisht se për sa kohë një person mund të qëndrojë në pozitën e kryeshefit ekzekutiv të një ndërmarrje publike.

Ky ligj thotë se emërimi dhe shkarkimi i kryeshefit ekzekutiv kryhet nga Bordi i Drejtorëve i ndëmarrjes.

Emërimi bëhet përmes një procedure të konkursit publik, ndërsa shkarkimi me shumicë të votave të Bordit të Drejtorëve.

Kurse dispozitat ligjore aktuale të Ligjit për Zyrtarët Publik thonë se një zyrtar publik nuk mund të caktohet si ushtrues detyre më gjatë se 12 muaj, përveç të rasteve kur procedura e rekurtimit është shpallur, por për arsye objektive pozita nuk është plotësuar. Kurse pozita si pozitë nuk mund të zëvendësohet me ushtrues detyre për më shumë se dy vite.

“Pozita e lirë nuk mund të zëvendësohet me ushtrues detyre për më gjatë se një periudhë prej dy viteve” – thuhet në pikën 3 të nenit 9 të Ligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Zyrtarët Publik, që ka hyrë në fuqi në nëntor 2024.

KEK-u më 13.05.2024 kishte hapur një konkurs për kryeshef, por më pas më 27.06.2024 e kishte anuluar atë, pa kurrfarë arsyetimi.

Një tjetër konkurs e kishte hapur në vitin 2025. Në atë konkurs, pas zhvillimit të procedurave rekrutuese, fitues ishte shpallur Ylber Batalli. Por më pas vetë ai kishte refuzuar për arsye personale marrjen e detyrës, çka kishte bërë që edhe konkursi i dytë të dështonte.

Për çka akuzohet Nagip Krasniqi?

Aktualisht ndaj Nagip Krasniqit rëndojnë dy aktakuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare, në kohën sa ka qenë kryeshef i KEK-ut.

Aktakuza e parë i ishte ngritur në gusht të vitit 2024 nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Sipas aktakuzës të siguruar nga KALLXO.com, Krasniqi i kishte mundësuar tregtimin e energjisë një kompanie sllovene në Kosovë, e cila nuk kishte licencë, duke dëmtuar kështu KEK-un në vlerë rreth 3 milionë e 230 mijë euro.

“…ashtu që me dashje aprovon blerjet, nënshkruan kontrata dhe autorizon nënshkrimin e tyre si dhe konfirmon vazhdimin e tregtimit me operatorin në fjalë, ani pse ishte në dijeni se nuk mund të tregtohej energji elektrike me këtë operator derisa ai nuk licencohej apo nuk i njihej licenca nga Zyra e Rregullatorit për Energji”– thuhej në aktakuzë.

Sipas aktakuzës, këto veprime i mundësonin kompanisë nga Sllovenia “Holding Slovenske Elektrane” – HSE tregtimin e energjisë elektrike në Republikën e Kosovës,

Mes tjerash, në këtë dispozitiv theksohet se të njëjtit i mundësohet përfitimi pasuror si dhe shmangia nga pagesat tatimore duke dëmtuar buxhetin e shtetit të Kosovës në vlerë prej 531,920.79 euro.

Aktakuza e dytë ndaj Krasniqit nga Prokuroria Speciale për keqpërdorim të detyrës zyrtare ishte ngritur në dhjetor të vitit 2024, bashkë me dy persona të tjerë dhe kishte të bënte me riparimin e kalldajës së bllokut A5 të termocentralit “Kosova A”.

Aktakuza e re akuzon Nagip Krasniqin si kryeshef i KEK-ut, në bashkëkryerje me Ymer Dragushën (ushtrues detyre i drejtorit të Zyrës së Prokurimit) se nga nëntori i vitit 2022 e deri në fund të janarit të vitit 2023 kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare – duke i tejkaluar kompetencat që i kanë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, tejkalimi i kompetencës është bërë që t’i mundësojnë përfitim personit tjetër, në këtë rast operatorit ekonomik “Litwin S.A”, në rastin e aktivitetit të prokurimit lidhur me “Riparimin kapital të kalldasë së bllokut A5”.

Sipas Prokurorisë më 27.12.2022, Krasniqi kishte ftuar në zyrë të akuzuarin Ymer Dragusha, duke i kërkuar të njëjtit që të fillohet procedura për hulumtimin e tregut, që të fillohet procedura e negociuar për tenderin për riparimin e kalldasë së bllokut A5. Sipas Prokurorisë, Dragusha e kishte vënë në dijeni Krasniqin se një gjë e tillë është në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik.

Tutje, Prokuroria pretendon se Dragusha pasi kishte marrë kërkesën nga Krasniqi, i kishte thënë zyrtarit E.T., që t’i ftojë në takim përfaqësuesit e operatorëve ekonomikë: “Intering”, “Monting Energjitika”, Litwin S.A”, të cilët operatorë paraprakisht ishin shpallur të papërgjegjshëm në procedurën e hapur të prokurimit.

Tri ditë më vonë, sipas Prokurorisë, më 29.12.2022, Krasniqi dhe i akuzuari tjetër Dragusha kishin zhvilluar negociata me operatorët ekonomikë lidhur me tenderin “Riparimi kapital i kalldasë së bllokut A5” – pa qenë në Komisionin për vlerësim dhe negocim dhe ende pa u bërë njoftimi për shpallje në faqen E-Prokurimi. Ndërsa, më 16.01.2023, pas përfundimit të negociatave, kanë bërë njoftimin për shpallje duke i eliminuar nga gara operatorët: “Intering”, “Monting Energjetika” dhe duke e favorizuar operatorin “Litwin S.A”.

Të ngjashme