KEK-u ndal B1-shin për shkak të ndotjes

Prishtinë | 31 Jan 2017 | 15:08 | Nga

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) njofton se nesër do të ndalojë nga prodhimi njësinë B1, pasi që situata teknike dhe ajo në elektro-filtra është rënduar, andaj nevoja për intervenim është e pashmangshme, në mënyrë që të shmangin ndonjë ndalesë emergjente.

Pavarësisht stabilimenteve të stërvjetra dhe kushteve ekstreme klimatike, KEK-u njofton se ka bërë të pamundurën që edhe në këto ditë të vështira t’i mbajë në operim termocentralet, duke realizuar prodhimin mujor konform planit të parashikuar me një mesatare prej 96.83%.

Megjithëse KEK-u ka pasur raste kur u është kërkuar edhe të ulin prodhimin.

“Duke pasur parasysh gjendjen e krijuar për sa i përket sigurisë energjetike kombëtare dhe nevojën e shtuar për energji elektrike, KEK-u përveç grupeve të operimit që punojnë në tri ndërrime, për të tejkaluar situatën aktuale të acarit, është përforcuar edhe me ekipet e mirëmbajtjes në Divizionin e Prodhimit të Qymyrit, Termocentralin ‘Kosova A’ dhe Termocentralin ‘Kosova B’”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.

Më tej theksohet se përkundër faktit se operimi në termocentrale gjatë këtij moti të ligë dhe temperaturave jashtëzakonisht të ulëta është tepër i vështirë. Mirëpo, falë angazhimit maksimal të punëtorëve të KEK-ut, kanë arritur, jo vetëm t’i mbajnë në operim, por edhe ta realizojnë prodhimin e planifikuar me përpikëri.

“Për më tepër, përveç realizimit të planit të prodhimit, KEK-u ka prioritet edhe mbrojtjen e ambientit, në këtë vazhdë, konform strategjisë kombëtare për mbrojtjen e mjedisit, ne kemi njoftuar edhe MMPH-në, se situata teknike dhe ajo në elektro-filtra është rënduar dhe nevoja për intervenim është e pashmangshme, në mënyrë që të shmangim ndonjë ndalesë emergjente, KEK-u ka planifikuar të ndal njësinë B-1 nesër me datë: 01.02.2017 në ora 00:01”, njofton KEK-u.

Në këtë drejtim, sipas obligimeve kontraktuale që kanë ndaj furnizuesit publik KEDS/KESCO i kanë njoftuar me kohë.

“Prandaj, KEK-u përveç se po dëshmon edhe njëherë se është bartës i stabilitetit të sektorit të energjisë, është duke treguar përgjegjësi të larte edhe në fushën e mbrojtjes e ambientit në hapësirat ku operon”, thuhet në njoftim.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme