Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka përkrahur aksionin e inspektoratit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) dhe inspektoratin e Komunës së Obiliqit për zbatimin e ligjshmërisë në rrënimin e disa themeleve të shtëpive në fshatin Hade.
Në njoftimin e KEK-ut theksohet se me vendimin e qeverisë së Kosovës për shpalljen e asaj zone “Zonë e Interesit të Veçantë Ekonomik” janë obliguar MMPH-ja dhe Kuvendi Komunal i Obiliqit të zbatojnë këto vendime, respektivisht, ndalimin e ndërtimeve apo mbindërtimeve të reja.
Në këtë drejtim KEK-u është njoftuar nga inspektorati i MMPH-së se do të ndërmerret një aksion për ta zbatuar ligjshmërinë konform vendimeve të qeverisë, me ç’rast në fushën nga e cila duhet të furnizohen termocentralet ekzistuese me qymyr, janë demoluar disa themele të sapo ndërtuara.
“Në bazë të Ligjit për shpronësim dhe Kornizës së Politikave të Zhvendosjes, për këtë fushe të përfshirë në zonën e interesit të veçantë, me datë: 24 tetor, 2016 është shpallur e ashtuquajtura data e prerjes (cutt off date), pas së cilës datë çdo veprim i ndërmarr rreth ndërtimeve te reja konsiderohet veprim ilegal”, thuhet në njoftimin e KEK-ut, raporton Ekonomia Online.
“Për më tepër ndërtimi i objekteve ilegale në këtë zonë edhe vite më parë ka dëmtuar buxhetin e vendit dhe të KEK-ut, por edhe të qytetarëve duke ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në tarifat e energjisë elektrike. Prandaj, KEK-u përkrahë çdo nismë të institucioneve vendore në zbatimin e ligjshmërisë”, theksohet në njoftim.
Për më shumë, në zonën e zgjerimit të mihjes sipas licencës, KEK-u së bashku me palët tjera të interesit është duke zbatuar standardet më të mira që janë të ndërlidhura me zhvendosje dhe asnjë qytetar i vetëm legjitim nuk do të dëmtohet nga ky proces, përkundrazi do të ketë përfitime më të larta të cilat janë të parapara me standardet e cekura më lartë.
Në këtë vazhdë, KEK-u fton të gjithë banorët që të mos shpenzojnë mjete, sepse do të ndeshen me zbatimin e ligjit, gjithashtu mos të lejojnë as të ndërtohet në pronat e tyre.
Njëherit KEK-u falënderon inspektoratin e MMPH-së dhe inspektoratin e Komunës së Obiliqit për aksionin e sotëm lidhur me zbatimin e ligjshmërisë në këtë zonë.