Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) iu bën thirrje, edhe një herë, banorëve të Hadës e Shipitullës që të nënshkruajnë kontratat për zhvendosje.
KEK-u thotë se ka zbatuar me përpikëri vendimin e qeverisë së Kosovës, ka rishikuar Planin e Veprimit të Zhvendosjes dhe vetëm pas aprovimit të tij nga MMPH-Qeveria e Kosovës, ka dorëzuar ofertat për kompensimin e pasurisë së paluajtshme. “Këto oferta janë duke u pritur mjaft mirë dhe interesimi i banorëve për nënshkrimin e kontratave është shumë i madh”.
“Prandaj, duke pasur parasysh këtë reflektim të banorëve dhe angazhimin maksimal të të gjithë akterëve e me theks të veçantë Qeverisë së vendit për ta përmbyllur këtë proces me sukses, KEK ka vazhduar afatin e nënshkrimit të kontratave edhe për pesë ditë”, thuhet në një komunikatë të KEK-ut.
“Duke qenë të bindur se ofertat sipas Kornizës së Politikave të Zhvendosjes (KPZH) janë shumë më të favorshme për banorët në raport me procedurat sipas ligjit të shpronësimit. KEK-u edhe një herë ju bënë thirrje banorëve të fshatrave Hade e Shipitullë për të nënshkruar sa më parë marrëveshjet për zhvendosje”.
Përfundimisht, ky veprim mbi të gjitha duhet të shihet si obligim e interes nacional por edhe të pajtohen më të gjitha institucionet relevante dhe palët kryesore të interesit të cilat në vazhdimësi kanë bërë përpjekje që banorëve të dy këtyre fshatrave t’i ofrohen kushte me standardet më të larta ndërkombëtare për zhvendosje.