Koalicioni ad-hoc i organizatave të shoqërisë civile ka mbajtur sot konferencë për media, me ç’rast është bërë dorëzimi i përgjigjes në padinë e ngritur nga kompania “Kelkos” ndaj aktivistit Adriatik Gacaferi, raporton Ekonomia Online.
Aktivisti Gacaferi tha se kjo padi nuk do ta ndalë të ngre zërin për çdo parregullsi që hasë në ambient. “Unë mendoj që padia ndaj meje nuk është thjesht një padi vetëm ndaj një aktivisti të mjedisit, por një tendencë që me i frikësu dhe me ua ndalë zërin të gjitha aktivistëve që protestojnë për krime mjedisore”.
Shpresa Loshaj, themeluese e organizatës “Pishtarët” e cila angazhohet për mbrojtjen e mjedisit, tha se kompania “Kelkos” dëshiron t’i frikësojë përmes këtyre padive.
“Është tronditëse se ‘Kelkosi’ ka zgjedhur taktika kërcënuese që janë të rrezikshme për demokraci. Nëse ‘Kelkosi’ dëshiron të jetë pjesë e komunitetit tonë, duhet që sa më parë të fillojë të fokusohet se si të përmbushë kriteret ligjore dhe marrëveshjen me komunë të Deçanit sepse me kërcënime kot e ka. Ne nuk do te ndalemi deri të arrijmë qëllimin tonë”, tha Loshaj.
Ndërkaq, avokatja Rina Kika tha se postimi në Facebook i Adriatikut është i mbrojtur brenda lirisë së shprehjes, që është e drejtë e garantuar me Kushtetutën e Kosovës, raporton EO.
“Sipas praktikës gjyqësore të GjEDNj-së, që mbizotëron ndaj të drejtës sonë vendore, nuk gëzojnë mbrojtje vetëm deklarimet që pëlqehen dhe që shihen si jo-ofenduese, por edhe ato që shokojnë, ofendojë e shqetësojnë. Adriatiku në postimin e tij në Facebook, ka shprehur qëndrimin e tij si aktivist i ambientit që i ka përcjellë këto raportime dhe ka pasur për qëllim që t’ia sjellë në vëmendje publikut dhe të institucioneve një çështje me interes të përgjithshëm siç është mbrojtja e ambientit në Grykën e Deçanit. Për këtë arsye deklarimi i tij është i mbrojtur brenda lirisë së shprehjes, si e drejtë fundamentale njerëzore”, tha Kika, duke shtuar se sot është dorëzuar përgjigjja në padi me anë të së cilës kemi kërkuar nga gjykata që ta refuzojë si të pabazuar këtë padi.
Mexhide Demolli-Nimani nga FOL tha se në këtë konferencë përfaqëson zërin e dhjetëra organizatave të shoqërisë civile të cilat i japin mbështetje Adriatikut dhe Shpresës në këtë rast.
“Të gjitha organizatat e nënshkruar në këtë letër përveç që i japin mbështetje Adriatikut dhe Shpresës, gjithashtu shprehim shqetësimin tonë për trendin e përdorimit të padive strategjike kundër pjesëmarrjes publike ndaj aktivistëve dhe gazetarëve. Po ashtu konsiderojmë se paditë SLAPP nëse do të ishin të suksesshme në Gjykatë do të përbënin një kërcënim të demokracisë dhe të drejtës së lirisë së shprehjes”, tha ajo, duke shtuar se si organizata të shoqërisë civile do të vazhdojnë të punojnë në luftimin e padive SLAPP.
Koalicioni Ad-Hoc përbëhet nga: Lëvizja FOL, Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF),Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Debate Center, D4D, KFOS, OJQ Era, Flutura Kusari, Ardian Nrecaj, Çohu!, Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), Demokraci Plus, Nisma për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR), Grupi për Mbrojtjen e Ujërave dhe Mjedisit, Kosovo Mountain Club, Instituti i Kosovës për Drejtësi, Instituti GAP, BIRN Kosova, Internews Kosova, Pishtarët, Instituti EPIK, Syri i
Vizionit, CEL Kosova, KEN Network, Integra, Sbunker,Organizata EcoZ, Qendra Kosovare per Studime te Sigurise, Shoqata e
Intelektualeve te Pavarur ne Deçan, Albert Heta, Qendra Kosovare per Studime Gjinore, OJQ TOKA, GAIA Kosovo, INJECT, Rrjeti i Grave të Kosovës, Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore – CSGD, Community Building Mitrovica, ADMOVERE, KMDLNj, Let’s Do It Peja, Ec ma Ndryshe, POLIS, ‘Ecopana’, Let’s Do It Kosova.