Kryetari i partisë Fjala, Gëzim Kelmendi, është distancuar nga deklaratat e anëtarit të partisë së tij, Bedri Bytyi, i cili u bëri thirrje hoxhollarëve që të mos e varrosin Hilmi Haradinajn, babain e kryeministrit, Ramush Haradinaj.
Kelmendi ka shtuar se nuk e përkrahë atë postim të bashkpartiakut të tij, Bedri Bytyçi.
“Po unë distancohem nga deklaratat e Bytyqit. Unë kam dhënë telegram ngushëllimi për familjen Haradinaj dhe kjo le të kuptohet që unë nuk e përkrahi atë postim të Bedri Bytyçit. Tashmë u bë e qartë që edhe ai vetë e ka tërhequr atë shkrim, duke u distancuar edhe vetë nga ajo thirrje”, ka thënë Kelmendi për Insajderin.
Përkundër që kryeimami Sabri Bajgora tha se Bedri Bytyçi nuk është imam i BIK-ut, Gëzim Kelmendi thotë se sipas informacioneve të tij, ai mban një post të hoxhës.
“Me informatat që unë i kam, po, ai është imam në një xhami. Edhe pse dorën në zemër, deri vonë ai ka qenë pa punë”, ka thënë Kelmendi.
Kelmendi nuk e përjashtoi mundësinë që partia ‘Fjala’ të marrë ndonjë masë ndëshkuese ndaj Bytyçit.
“Do të shohim në të ardhmen se a do të marrim ndonjë masë ndaj tij”, ka thënë Kryetari i Partisë Fjala.
Bedri Bytyi, në zgjedhjet e kaluara kishte qenë kandidat i partisë ‘Fjala’ për kryetar të Malishevës.
Po ashtu ai vjen nga kjo komunë, përkundër që në Facebook-un e tij personal, thuhet se është imam në një xhami të Rahovecit.