Zëvendëskryeministri në detyrë i Lidhjes Demokratikë të Kosovës Ramiz Kelmendi i përfolur si deputet i mundshëm që do të votojë për koalicionin PAN dhe Ramush Haradinajn ka thënë për Express të premten se nuk do të bëjë diçka të tillë.
Ai ka thënë se do t’i mbetet besnik partisë së tij, por ironizon duke theksuar se nuk do ta votonte as veten nëse PAN do ta propozonte kandidat për kryeministër.
“Edhe me më qit PAN kandidat për kryeministër, unë as vetën nuk e votoj, është pjesë e luftës speciale për dëmtimin e njerëzve dhe nuk ka të bëjë fare me asnjë lëvizje ose qëndrim”, u shpreh Kelmendi, derisa ka shtuar se këto spekulime po bëhen për ta humbur vetëbesimin tek njerëzit.
“Tentojnë që të fitojnë kohë dhe të bëhet përçarje mes njerëzve, të humbet vetëbesimi tek njerëzit dhe me tregu që tash qysh më ka bo LDK zëvendëskryeministër e tash ky është labil dhe e voton ish shefin e kaluar”, ka shtuar ai.
Ndërkohë, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj është shprehur i sigurt se i ka numrat për ta formuar Qeverinë.
Ai madje tha se gjatë javës së ardhshme ka mundësi që të thirret seanca për konstituimin e Kuvendit.
Gjatë ditës së djeshme, presidenti Thaçi u takua me Haradinajn nga ku u tha se të dytë biseduan për thirrjen e seancës konstituive.