Pakoja Fiskale 2.0 i përfshin 99 për qind të veprimtarive prodhuese dhe do të ketë ndikim të madh te prodhuesit. Kështu ka thënë zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramiz Kelmendi, gjatë një vizite në komunën e Ferizajt, ku ka takuar kryetarin e kësaj komune, Muharrem Svarqa, si dhe përfaqësues të bizneseve të këtushme.
Në takimin me bashkëpartiakun e tij, Svarqa, është biseduar për çështjet ekonomike të kësaj komune, trajtimin në të ardhmen të hekurudhës që kalon në qendër të qytetit, si dhe kyçjen e zonave industriale në autostradë.
Zv.kryeministri në veçanti foli për Pakon e dytë Fiskale që është duke u përgatitur nga Qeveria e Republikës së Kosovës, me të cilën synohet zhvillimi i veprimtarisë prodhuese në vend.
“Pakoja Fiskale 2.0 i përfshin 99 për qind të veprimtarive prodhuese edhe të kësaj komune, dhe kjo ka me qenë shumë ndikuese dhe presim që kjo pako të kthejë lakoren e rritjes ekonomive të këtyre veprimtarive jashtëzakonisht shumë dhe shpejt. Prandaj në përgjithësi është në interes edhe të bizneseve të komunës së Ferizajt”, ka theksuar Kelmendi, në një konferencë për media pas takimit.
Ndërkaq, kryetari i Komunës, Svarqa, e ka njoftuar Kelmendin për nevojat që kanë bizneset e këtushme.
“E njoftova për të gjitha të arriturat që janë zhvilluar këtu, duke e pasur parasysh që Komuna e Ferizajt tashmë është një komunë e zhvilluar e Republikës së Kosovës përmes bizneseve, të cilat janë në numër shumë të madh këtu dhe të cilat absorbojnë një numër të madh të punëtorëve në këtë shkallë të lartë të papunësisë”. Svarqa ka rikujtuar se komuna e Ferizajt merr pjesë në buxhetin e Republikës së Kosovës me 360 milionë euro në vit, përmes taksave dhe doganave, që është një fuqi ekonomike dhe e cila, në një mënyrë ndihmon në zhvillimin e përgjithshëm të Kosovës.
Svarqa shtroi edhe problemin lidhur me projektin e ndërtimit të hekurudhës nëntokësore, përmes të cilit do të përfitohet një sipërfaqe afër 6 hektarë në këtë segment të qytetit.
Gjithashtu, ai përmendi një sërë problemesh, si ujërat e zeza, mbeturinat, të cilat, siç tha ai, po bëhet përpjekje të zgjidhen përmes kredive të buta.
Gjatë qëndrimit në Ferizaj, zëvendëskryeministri ka vizituar disa biznese të këtij qyteti. Në Fabrikën e ujit “Miros”, zëvendëskryeministri Kelmendi tha se mori kërkesë rreth çështjes së taksës së ujit nga e kaluara, për të cilën u zotua që do të shohë mundësit e eliminimit të saj.
Në vizitën e bërë në fabrikën e ëmbëlsirave “Rolleo”, ai u shpreh i fascinuar me mënyrën e organizimit. “Është një biznes i vogël, por që praktikisht punëson gjininë femërore, që është shumë me rëndësi për ne dhe gjithsesi, do ta ketë mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës”.
Zv.kryeministri ka vizituar edhe fabrikën e këpucëve “Hit Shoes” si dhe kompaninë “Eli-AB”, ndërsa gjatë pasdites, ka takuar përfaqësues tjerë të bizneseve të kësaj komune.
Duke iu premtuar mbështetje të vazhdueshme nga Qeveria e Kosovës, ai ka kërkuar nga bizneset që të mos ndalen me investime, në mënyrë që Kosova të ketë rritje ekonomike, rritje të punësimit, dhe zvogëlim të informalitetit.
“Angazhim imi themelor është që shqetësimet dhe kërkesat e arsyeshme të bizneseve, të kuptohen shumë më lehtë sesa që kanë qenë në të kaluarën. Do të angazhohem që përmes këtyre vizitave në biznese të ndryshme të vendit, t’i shtyjmë proceset përpara”, tha zëvendëskryeministri Kelmendi.