Kelmendi: Pakoja e re fiskale rrit për 30% prodhimin vendës

Prishtinë | 20 Jan 2017 | 17:06 | Nga Ekonomia Online

Ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje relativisht të lartë në raport me vendet e rajonit megjithatë bilanci tregtar mbetet thellësisht në disfavor të Kosovës. Kjo dhe tema tjera ekonomike u diskutuan sot me zëvendëskryeministrin Ramiz Kelemendi, në ligjëratën publike të organizuar nga Kolegji Universum në kuadër të “Universum Talks”.

Sipas zv. Kryeministrit, Qeveria e Kosovës po punon për krijimin e një ambienti të favorshëm për investitorët e brenshëm dhe të jashtëm. Poashtu është krijuar Fondi për Garantimin e Kredive i cili do t’i lehtësojë të bërit biznes të gjithë atyre që kanë ide konkrete dhe kanë nevojë për kredi. Sipas Kelmendit në Kosovë, përveç problemeve tjera, ka edhe mungesë të projekteve.

Duke adresuar çështjen e papunësisë u theksua se punësimi në administratën publike nuk është zgjidhja e papunësisë në Kosovë. Sektori privat dhe vetëpunësimi janë çelës për zhvillimin ekonomik.

Ndërsa sa i përket të bërit biznes, në ditët e sotme gjëja më e rëndësishme është reagimi i shpejtë. Sot natyra e të bërit biznes është e tillë që nuk e mund i forti të dobëtin, por i shpejti të ngadalshmin.

Në pyetjen rreth paketës fiskale 2.0 se sa mund t’i ndihmojë prodhuesit vendor,  Kelemendi theksoi që përmes kësaj pakete parashihet një rritje prej 30% e sektorit të prodhimit në ekonominë kosovare. Në këtë drejtim edhe grupi ELKOS do të fillojë nga ky vit me ngritjen e kapaciteteve prodhuese meqë tashmë janë bërë investime milionëshe.

Në lidhje me zhvillimet e fundit në raport me Serbinë, Kelmendi theksoi se përmes politikave të bojkotimit dhe embargove nuk mund të arrihet shumë larg mirëpo ky qëndrim po na imponohet nga pala serbe.

Në fund zv. Drejtori i Kolegjit Universum, Uran Rraci theksoi rëndësinë ligjëratave të tilla për përgatitjen e studentëve dhe gërshetimin e teorisë me praktikën.

Të ngjashme