Kelmendi: Po punojmë intensivisht në përmirësimin e gjendjes ekonomike

Prishtinë | 20 Dhj 2016 | 16:41 | Nga

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Ramiz Kelmendi, mori pjesë në konferencën e katërt të ambasadorëve që po mbahet në Prishtinë.

Kelmendi tha se Qeveria po punon intensivisht në përmirësimin e gjendjes ekonomike të qytetarëve të Kosovës, përmes zhvillimit në sektorët me potencial, si bujqësia, përkrahja e ekonomive familjare, stimulimin e prodhimit vendor dhe përmirësimin e cilësisë, lehtësime përmes politikave fiskale, përkrahjen e ndërmarrësve të rinj, bërjen e një ambienti të përshtatshëm për investitorët e huaj.

Më tej, zëvendëskryeministri Kelmendi ftoi ambasadorët që të jenë më aktiv gjatë panaireve vendore, t’i informojnë blerësit e jashtëm dhe t’i inkurajojnë ata që të jenë pjesë e këtyre panaireve.

Fjala e plotë e zëvendëskryeministrit Kelmendi:

Kam kënaqësinë të jem sot në këtë takim për fundvit, me ju ambasador të vendeve që keni ndihmuar në forma të ndryshme dhe po vazhdoni ta ndihmoni Kosovën në rrugën e saj të zhvillimit dhe integrimit.

Republika e Kosovës në procesin e shtetndërtimit në vazhdimësi është ndihmuar nga vendet perëndimore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e Bashkimit Evropian dhe të tjera. Ne jemi të përkushtuar të thellojmë bashkëpunimin me ju për fuqizimin e mëtejmë të institucioneve demokratike në Republikën e Kosovës, vazhdimin e procesit të reformave dhe përafrimin e tyre me standardet e kërkuara nga Bashkimi Evropian.

Qeveria e Republikës së Kosovës është duke punuar për rezultate konkrete në luftimin e korrupsionit dhe informalitetit, duke pasur njëkohësisht zhvillimin ekonomik prioritet me rezultate të rëndësishme në këtë drejtim:

• Qeveria ka punuar intensivisht në eliminimin e barrierave e të bërit biznes duke përmirësuar rangimin në indeksin e Bankës Botërore “Të bërit biznes” duke krijuar kështu klimë më të favorshme për investime

Siç e dini janë miratuar një pako ligjesh në këtë kontekst si;

• Ligji për Investime Strategjike;

• Ligji për Trepçën

• Ligji për Fondin e Garantimit të Kredive, etj.

Është bërë Reforma Fiskale për stimulimin e prodhimit dhe rezultatet e saj kanë dhënë frytet e para, dhe në bazë të kësaj është duke u finalizuar Pako e re fiskale për zhvillim të mëtejmë të bizneseve , në veçanti ato prodhuese. Me këtë pako zhvillimi ekonomik do të jetë më i lartë gjatë vitit 2017 dhe sukseset e saj do të jenë shumë domethënëse.

• Buxheti i miratuar nga Qeveria prej 2 miliardë euro, me një rritje prej afër 50% në investime kapitale, duke ruajtur njëkohësisht stabilitetin makroekonomik, me një borxh të jashtëm shumë të ulët (14%), paraqet një arritje që duhet vlerësohet lartë.

• Marrëveshje bilaterale financiare me vende dhe institucione financiare ndërkombëtare si FMN, BB, Banka Evropiane e Investimeve, si dhe MSA, janë arritje që duhet nënvizuar.

• Stabilitet makroekonomik, financiar dhe disiplinë në shpenzime dhe të hyra.

• Qeveria është duke punuar edhe në zgjidhje afatgjata të problemeve energjetike; këtu vlen të nënvizohet përfundimi i linjës së interkonjeksionit me Shqipërinë dhe përgatitjet e ambientit për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”.

• Politika atraktive të tatimeve si: të ardhurat e tatimeve nga Korporatat 10%, kontributi pensional 5%, TVSH e përshkallëzuar nga 0%, 8%, dhe 18%. Këto tatime janë më të volitshme në raport me shtetet e rajonit.

• Rritja reale e vlerësuar e Produktit Brendshëm Bruto për 2017 pritet të shënojë 4.4%, duke u mbështetur në investime publike, stimulimin e investimeve private gjithashtu nga përkrahja e Fondit për Garantimin e Kredive nga Qeveria.

• Ambienti stabil makroekonomik : gjatë viteve të kaluara (2008-2015) norma mesatare e inflacionit është regjistruar në 2.8%. Sektori financiar është mirë i kapitalizuar, likuid dhe me profit të lartë. Vitin e kaluar ka qenë viti i parë një shifror në përqindje të kamatës së kredisë diku 7% të interesit që ka rënë për 30% gjatë dy viteve të fundit si normë e kredisë.

• Sektorët me rëndësi për investime janë: Energjia dhe minierat, transporti dhe telekomunikacioni, turizmi, industritë përpunuese të tekstilit, drurit, agrikultura, industria e ushqimit, shëndetësia, parqet industriale dhe teknologjike dhe menaxhimi i mbeturinave.

• Nga sektori i bujqësisë brenda dy viteve të fundit janë shpërndarë 90 milionë euro nga grantet dhe subvencionet.

• 25 mijë hektarë toke agrare ende është e pa privatizuar.

Këto do të kenë efekte makroekonomike dhe do të shtojnë rritjen e GDP-së dhe do të ndryshojnë trendin negativ të bilancit tregtar.

Meqenëse unë sapo jam emëruar Zëvendëskryeministër, duke e shfrytëzuar edhe përvojën time prej biznesmeni, mund ta them pa hezitim se të gjithë bashkë në Qeveri kemi koordinim efikas, kështu që po vazhdojmë të përqendrohemi në përmirësimin e gjendjes ekonomike të qytetarëve të Kosovës, përmes zhvillimit në sektorë që kemi potencial, si bujqësia, përkrahjen e ekonomive familjare, stimulimin e prodhimit vendor dhe përmirësimin e cilësisë, lehtësime përmes politikave fiskale, përkrahjen e ndërmarrësve të rinj, bërjen e një ambienti të përshtatshëm për investitorët e huaj. Ftoj nga kjo foltore, gjithashtu, që ambasadorët të jenë më aktiv gjatë panaireve vendore, të informojnë, të organizohen dhe të sjellin blerësit e jashtëm që të jenë vizitorë të këtyre panaire. Ftoj ambasadorët të promovojnë prodhimtarit tona që kanë potencial eksporti, si në lëmin e prodhimeve bujqësore, industrinë së tekstilit, etj. Ftoj ambasadorët e vendeve të interesuara për të mbështetur financimin e shitjeve të makinerive prodhuese, sepse industrializimi i Kosovës është prioritet i Qeverisë dhe atë me teknologji të avancuara që mbështesin konkurrencën në BE.

Po ashtu ftoj ambasadorët që të punojnë në intensifikimin e kontakteve të ministrave me afaristë të shteteve reprezentues dhe me ministritë e vendeve partnere me qëllim që marrëdhëniet e mira të konkretizohen në drejtime që të kemi dobi të dyanshme.

Gjithë kjo do të mund të arrihet duke ofruar lehtësira në hapat e parë të themelimit të bizneseve qofshin ato të vogla, të mesme apo të mëdha duke u mundësuar qasje në kredi me kushte të volitshme dhe me metoda të avancuara të kreditimit. Këtu kam parasysh investimet në bujqësi e cila ka parakushte të mira për zhvillim, që në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Bujqësisë të ndryshojmë strukturën e granteve dhe subvencioneve që ky fond të kaloj në garantimin e kredive bujqësore, përmes këtij sektori do të mund të krijoheshin mjaft vende të lira pune.

Në këtë aspekt do të vazhdohet edhe me angazhimin në miratimin e Ligjit për tërheqjen e mjeteve financiare të Fondit Pensional dhe Invalidor, atij të Agjencionit Kosovar të Privatizimit dhe fondeve tjera që veprojnë në Evropë.

Pastaj do të angazhohemi rreth ligjeve që rregullojnë financimin e projekteve ekonomike me kredi investive, të cilat investime, përveçse do të rrisin standardin e jetës, ato Kosovën do ta afirmojnë në arenën ndërkombëtare. Patjetër, shtyllë e rëndësishme ekonomike e konceptit qeveritar zhvillimor do të jetë shtimi i kapaciteteve të prodhimtarisë vendore, në këtë mënyrë do të kontribuonim në plotësimin e kërkesave të tregut vendor si dhe plasmanin në tregun e jashtëm. Resurset njerëzore janë kapital i vendit tonë, aq më shumë, sepse mbizotëron mosha e re e cila është determinant në potencialin e zhvillimit ekonomik.

Në Kosovë ka sipërfaqe të objekteve industriale të papërdorura e që janë të domosdoshme për zhvillimin ekonomik të vendit. Jemi të interesuar t’i shtyjmë këto procese në mënyrën sa më efikase, në mënyrë që këto sipërfaqe të shndërrohen në zona ekonomike dhe të jenë në dispozicion të komunave për t’ju dhënë mbështetje investitorëve ekzistues dhe të rinj të cilët paraqiten për vetëpunësim apo për investim të mëtutjeshëm.

Ne jemi falënderues për ndihmën që kemi marrë deri më tani dhe përkushtimin e juaj për bashkëpunim me Qeverinë dhe institucionet e Kosovës. Me shpresën se, jo vetëm që do të vazhdoj kështu, por që ky bashkëpunim do të begatohet edhe më tutje.

Me këtë rast ju uroj festat e fundvitit.

Faleminderit!

zvkm-2

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme