Unë nuk e pasoj shumicën, por të drejtën dhe të vërtetën!
Në rrugëtimin tim politik prej vitit 2009 kam punuar dhe jam angazhuar për të drejtën dhe të vërtetën.
Unë e di që e drejta dhe e vërteta janë vështirë të pasohen por e di që gjithmonë kanë ngadhnjyer mbi të pavërtetën.
Gjatë dy mandateve sa kam qenë deputet asnjëherë nuk jam nështruar dhe dorëzuar përballë presioneve të ndryshme politike.
Në atë kohë kam kundërshtuar çdo politikë të gabuar të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së.
Në kohë të fundit kur fillova me kritika dhe kundërshtime të politikave të gabuara të VV-së, jam bërë cak dhe pre e ofendimeve, fyerjeve, kërcënimeve dhe mallkimeve nga shumë simpatizues të VV-së.
Rruga të cilën jemi duke ecur unë dhe Partia FJALA, është shumë ma e pastër dhe e sinqertë se rruga që ka ndjekur VV-ja sa kanë qenë në opozitë.
Unë dhe subjekti që unë e drejtoj Partia FJALA, asnjëherë nuk kemi përdorur gjuhë linçuese, shpifje, ofendime, dhunë në njerëz, në rrugë dhe institucione.
Dhe asnjëherë nuk do ti shfrytëzojmë dhe ndjekim këto rrugë të cilat i ka shfrytëzuar VV-ja.
Rruga jonë, rruga e Partisë FJALA është rrugë e paqes, e argumentit dhe e bindjes.
Por pse unë dhe kolegët e mi nga Partia FJALA jemi cak i ofendimeve, fyerjeve dhe mallkimeve nga shumë simpatizues të VV-së?
Pse ata nuk po e pranojnë kritikën tonë?
Ne nuk po veprojmë sikur mësuesi dhe kryeministri i tyre. Ne nuk po i fyejmë, nuk po i sulmojmë, nuk po shpifim sikur ka bërë kryeministri i tyre Albin Kurti.
Unë e kam një porosi për të gjithë ata që kanë zgjedhur rrugën e mësuesit të tyre Albin Kurtit, rrugën e shpifjeve, fyerjeve, mallkimeve, linçimeve.
Porosia ime është: unë nuk do të ndalem dhe nuk do të zbrapsem asnjëherë nga kjo rrugë. Gjuha e juaj e urrejtjes më bën edhe më të fortë në këtë rrugë.
Nëse VV-ja ka ma shumë vota se FJALA, kjo nuk është argument se VV-ja e ka mirë dhe FJALA e ka gabim.
Përkundrazi, përgjatë tërë historisë së njerëzimit kemi mësime kur grupet e vogla kanë triumfuar përballë grupeve të mëdha. E vërteta nuk është gjithmonë me shumicën.
Dhe mos mendoni se kjo gjuha e juaj e urrejtjes, e mallkimeve, ofendimeve do të më bën të luhatem dhe zbrapsem nga kjo rrugë.
Nuk ka mundur askush prej njerëzve të më luhatë dhe zbrapsë nga kjo rrugë.
Nuk ka mundur as presidenti Hashim Thaçi kur erdhi në konakun tim me një grumbull burra dhe kërkoi votën time për president si këmbim për shumë përfitime të ndryshme.
Unë di që kjo rrugë që kemi zgjedhur është e vështirë, por e di që me ndihmën e ZOTIT do të triumfojmë.
Unë dhe kolegët e mi të Partisë FJALA nuk anojmë kah shumica, nuk anojmë kah fituesi, por anojmë kah e vërteta dhe e drejta.
Kryeministri aktual Albin Kurti është larg nga e vërteta.
Kryeministri aktual deri tani ka shkelur të gjitha qëndrimet, veprimet dhe politikat që ai ka zhvilluar.
Nuk ka lënë të zezë pa thënë për LDK-në dhe Isa Mustafën, tani ai bashkëqeverisë me të.
Nuk ka lënë të zezë pa thënë për Listën Serbe, tani atyre iu ka dhuruar 2 ministri, e ata nuk e kanë votuar fate qeverinë e tij.
Ka kundërshtuar pakon e Ahtisarit, tani punon me të.
Ka kundërshtuar dialogun me Serbinë, tani e ka prioritet.
Ka kundërshtuar mallrat e Serbisë, tani nga 15 Marsi do ta heqë taksën 100%.
Reciprocitetin e ka harruar, bashkimin kombëtar e ka harruar, shqiptarët e Luginës së Preshevës i ka harruar.
Unë dhe Partia FJALA nuk do të ndalemi.
Koha do të na tregoi se kush ka të drejtë, VV-ja apo FJALA.