Në kuadër të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, qeveria ua mundësoi kontributdhënësve që të tërheqin 10% të shumës së mbledhur nga Fondi i Kursimeve Pensionale.
Brenda një periudhe shumë të shkurtër mbi 50% e qytetarëve që kanë kursime në Trust aplikuan për tërheqjen e 10%.
Këtë mundësi të dhënë nga institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës nuk e lanë pa e shfrytëzuar as disa nga këngëtarët, të cilët pandemia i goditi rëndë ekonomikisht.
Njëjtë veproi edhe këngëtarja e mirënjohur Shkurte Fejza, e cila në një deklaratë për Telegrafin konfirmoi se ka aplikuar për tërheqjen e 10%.
Ajo shton se këtë veprim e ka bërë për shkak se në vitin 2020 iu anuluan të gjitha aktivitetet që ndërlidhen me profesionin e saj.
“Po normalisht që i kam tërhequr sepse ky vit ishte vit i mbrapshtë, do të thoja viti zero, u anuluan të gjitha aktivitetet e tona. Kjo është një mundësi e mirë për të zbutur domosdoshmërinë e përditshme që ka jeta”, ka thënë Shkurte Fejza për Telegrafin.
Sikurse Fejza, edhe këngëtari Burak Vehapi nga grupi “Fama” ka aplikuar për tërheqjen e kësaj shumë nga kursimet pensionale, duke shtuar se është i pakënaqur me ndihmat e shtetit që iu bënë komunitetit ku ai bën pjesë.
“Kam aplikuar për 10% e Trustit Pensional, por nuk i kam tërhequr akoma. Përndryshe kjo nuk është as përkrahje me atë se sa shumë jemi dëmtuar, tek e fundit këto janë paratë tona. Edhe sa i përket ndihmës prej shtetit nuk jemi të kënaqur fare marrë parasysh se jemi të rregullt deklarojmë dhe paguajmë tatimet”, deklaroi Buraku për Telegrafin.
Mirëpo, pati edhe artistë të tjerë të cilët përkundër faktit se gjatë 2020 nuk patën të ardhura si vitet paraprake, nuk aplikuan për tërheqjen e 10%.
Arta Bajrami thotë se nuk ka aplikuar për tërheqjen e Trustit, ndërkaq që drejton kritika të ashpra ndaj Qeverisë për mospërkrahje ndaj familjeve të cilave u janë përgjysmuar të ardhurat.
“Jo nuk kam aplikuar, unë e kam një pyetje për shtetin ne familjet që e shtojmë popullsinë natalitetin unë personalisht kam tre fëmijë dhe nuk jam duke punuar për shkak të pandemisë siç dihet, pse nuk marrim shtesa për fëmijët si në shtetet e zhvilluara apo në fakt nuk jemi shtet i zhvilluar sepse Qeveritë e kanë pasuruar veten”, tha Arta Bajrami për Telegrafin.
Festim Arifi i njohur me emrin e artit si Lyrical Son ka vepruar ashtu sikurse artistja e lartpërmendur.
Ai për Telegrafin thotë se nuk ka marrë asnjë ndihmë nga shteti, pavarësisht se është tatimpagues i rregullt.
“Nuk kam aplikuar as për 10% e Trustit as prej këto prej Komunës së Prishtinës që janë shpërndarë këto ndihmat. Ma merr mendja që shteti duhet me i ditë këto punë, unë paguaj taksa shumë moti, po flas në krahasim me këngëtarët e tjerë dhe jam një prej taksapaguesve më të rregullt sa i përket industrisë së muzikës. Duhet me ditë shteti, jo ne. Shembull, kujt i ndihmon shteti dhe kujt ia kthen ato të mira që ia bon shtetit edhe kush është i përgjegjshëm ndaj shtetit, ato duhet me ditë ata. Sa mirren tek mirren unë nuk e di, shyqyr Zotit nuk kam pasur nevojë për ato ndihma dhe ende nuk kam nevojë, dhe ishalla nuk do kem nevojë për ato ndihma”, ka thënë ai.
Aplikim nuk ka bërë as këngëtari Afrim Muçiqi, mirëpo që i njëjti nuk e mohon se një gjë të tillë mund ta bëjë në të ardhmen.
“Pandemia ka ndikuar tek të gjithë ne, 2020 ka qenë viti më i keq sa i përket anës financiare dhe asaj shëndetësore po ashtu. Deri më tani nuk kam aplikuar për Trust, por të shohim në vazhdim. Ndoshta në ditët e ardhshme”, ka thënë Muçiqi për Telegrafin.
Kujtojmë që në bazë të amendamenteve të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, shteti do t’ua rimbursojë shumën e tërhequr nga Trusti Pensional atyre që kanë më pak se 10 mijë euro në këtë fond. /Telegrafi