Talenti i trashëguar për muzikë

Prishtinë | 31 Gus 2018 | 18:44 | Nga

Që talenti është trashëgim në këndim, kjo edhe qëndron. Ky talent mund të trashëgohet nga babai ose nëna, ose ka raste kur vazhdohet tradita në muzikë, e që jo rrallëherë rezulton suksesshëm.

Janë disa emra të njohur të skenës shqiptare, që talentin po ua përcjellin fëmijëve të tyre. Express Summer në KTV ju sjell disa nga emrat e njohur të estradës që prindërit e tyre kanë qenë ose vazhdojnë të jenë emra të njohur të muzikës shqiptare.

Fillojmë me Ermal Fejzullahun, djalin e këngëtarit të mirënjohur Sabri Fejzullahu, i cili e filloi këndimin qysh në moshë të vogël. Fama që atëkohë e gëzonte Ermali ishte pikërisht vetëm për faktin që ishte djali i Sabri Fejzullahut, por kjo me kalimin e viteve ndryshoi. Pauzat e Ermalit në skenë ishin të shkurtra, duke qenë mjaft aktiv në muzikë që nga ajo kohë e deri më sot dhe duke u bërë nga emrat më të njohur dhe të kërkuar të muzikës në vend.

Korab Shaqiri, djali i këngëtarit të njohur Ilir Shaqiri, debutoi në skenë mjaft mirë dhe njëkohësisht duke e ruajtur stilin e babait të tij. Këngët e Korabit rezultuan të suksesshme dhe sot veçohet stili i tij duke e çuar muzikën e trashëguar në një nivel tjetër. Ndër vite Korab Shaqiri ka arritur ta themelojë studion e tij incizuese dhe të shndërrohet në një prej kantautorëve më të kërkuar në Kosovë.

Muzikën e trashëgoi edhe një tjetër Korab, bëhet fjalë për Korab Jetishin, që këtë profesion e mësoi më së miri nga babi i tij, Shkelzen Jetishi. Edhe ky erdhi në skenë duke iu përshtatur mjaft mirë stilit të Xenit dhe tregut muzikor, ndonëse jo me ndonjë sukses të madh, ai nuk u veçua nga dy emrat tjerë të përmendur më herët. Kënga e tij më e suksesshme ishte ajo në bashkëpunim me babanë e tij, “Kujtimet e Vjetra”.

Platori, i cili doli në skenë me zhanrin hip-hop, duket që zhanrin muzikor nuk e trashëgoi nga prindërit e tij, Mihrije Braha dhe Naim Abazi. Debutimi i tij pati një jehonë, por më pas si emri i tij u shua dhe nuk u përmend për ndonjë sukses, edhe përkundër tentativave.

Kalojmë te vajzat e estradës e që muzikën e kanë trashëgim familjar. Gresa Behluli është vajza e këngëtares sonë të mirënjohur, Shkurte Fejza. Ajo erdhi pak më ndryshe në skenën tonë duke e sjell një butësi, qoftë në paraqitje ashtu edhe në këndim. Gresa arriti që të pëlqehet te një audiencë e caktuar dhe aty mbeti. Muzika e saj nuk hyn në rendin e atyre këngëve që marrin shumë klikime në YouTube, por edhe përkundër këtij fakti Gresa vazhdon të jetë aktive me projekte.

Një tjetër emër që duhet futur në këtë listë është edhe, Engjellusha Salihu, e cila debutoi më së voni prej emrave të lartpërmendur. Projektet e njëpasnjëshme e bënë Engjin prej emrave më të përmendur në mediat rozë. Projektet solo e bashkëpunimet me nënën e saj, Shyhrete Behluli, rezultuan mjaft mirë dhe sot numërojnë miliona klikime në YouTube

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme