Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani i ka vazhduar edhe sot përplasjet me anëtarët e partisë së saj.
Gjithçka nisi kur Osmani e komentoi deklaratën e ministres së Jashtme, Meliza Haradinaj-Stubllës, gjë që shkaktoi reagimin e Kujtim Shalës së LDK-së, i cili tha se kryeparlamentarja nuk guxon të bëjë komente të tilla politike.
Në debat u përfshi edhe Armend Zemaj, ministri i Shëndetësisë, që Osmani e akuzoi se po e fyen duke i thënë “mos rrej”.
Mirëpo kështu tha se nuk është deklaruar Zemaj. Ky i fundit iu drejtua Osmanit duke i thënë se e pa se është nervozuar dhe iu drejtua me fjalët “mos na rreh”.
“Kryetare, të kisha lut që si e para e Kuvendit, është pak mirë që debatin ta drejtoni në relaksim të situatës. Nuk ju thashë mos na rrej, por mos na rreh”, tha Zemaj.
E më pastaj pati reagime të reja nga Kujtim Shala i LDK-së, që iu drejtua Vjosa Osmanit duke i thënë se nuk ka dëgjuar asnjëherë lexim më të çuditshëm të rregullores së Kuvendit.
“Lexim më të çuditshëm të rregullores nuk kam parë. Pra në pozicionin që jeni, nuk ju lejohen pozicionimet politike, sepse aty jeni që të drejtoni seancën sa më teknikisht që mundeni”, tha ai.
Osmani tutje u përgjigj me një thënie amerikane.
“There is a new Sheriff in Town, duheni me u mësu me një lexim të ri të rregullores”, u shpreh Osmani në fund.