Keqkuptimi i një diplomati të shquar

Prishtinë | 20 Mar 2024 | 17:32 | Nga Shenoll Muharremi

Ka disa raste kur në Kosovë është keqkuptuar një ndër diplomatët më me eksperiencë në rajon të ShBA-së, z. Hill. Ai po kryen një punë fantastike dhe deri më tani ka qenë një ndër diplomatët më të lartë të SHBA-së në rajon dhe Europë. Ai nuk është diplomat i tipit Escobar e Grenell.

Puna e ambasadorit Christopher R. Hill nuk është me e largu Serbinë nga Perëndimi, përkundrazi. Detyra e tij është që ai të fitojë besimin e establishmentit dhe të ketë ndikim sa më të lartë në Beograd. Gjithashtu ta afrojë sa më afër Serbinë me Perëndimin, ta largojë nga Rusia e Putinit.

A mendoni që Hill është aq naiv saqë të mos njeh sentimentin në Serbi kundër NATO-së e cila e bombardoi këtë të fundit aq vrazhdë për të çliruar Kosovën? A mos kishte me qenë Chris Hill ambasador i mirë nëse ai i kishte acaruar marrëdhëniet me Serbinë dhe kishte humbur akcesin dhe ndikimin e tij?

Të kuptojmë më së pari se çfarë është një punë profesionale. Ajo nuk është të bëjmë atë që ne besojmë! Por nënkupton të bëjmë atë që duhet. Jo gjënë e mirë, por të duhurën.

Fundja, Serbia në NATO kishte me qenë një ndër të arriturat më të mëdha historike të rajonit! E ngjashme me pavarësinë e Kosovës. Një Serbi në NATO nënkupton një rajon më të sigurt, paqe dhe stabilitet për Ballkanin e trazuar.

Diplomacia nuk është emocion e sentiment, as drejtësi… por është një mjet në dispozicion për të arritur qëllimet politike dhe ekonomike të vendeve që i përfaqëson. Chris Hill ka me siguri më shumë vite eksperiencë diplomatike të dorës së parë me Ballkanin sesa që shumica prej nesh kemi vite shkollë. Por mbase që të punosh për gjetje të stabilitetit dhe bashkëpunimit në rajon është një punë e vështirë, e as nuk shkon pa keqkuptime e kritike në këtë zonë gjeografike.

Të ngjashme