Kërçeli ia “shpjegon” Abdixhikut dinjitetin: Dinjitet është të mos e shesësh trashëgiminë e Rugovës për një vend në tavolinë

Prishtinë | 12 Nën 2025 | 12:15 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli është marrë me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhikun për të cilin mes të tjerash ka thënë se dinjiteti është të mos e e shesësh trashëgiminë e Rugovës për një vend në tavolinë.

Derisa ka numëruar se me çka nuk matet dinjiteti, ai ka thënë se atë (dinjitetin) nuk e mat dot ai që e ka humbur prej kohësh.

Postimi i plotë:

Si e përkufizon “dinjitetin” kujdestari i LDK-së?

Për gjeneratën e re të politikës “me kostum e kalkulim”, dinjitet qenka të kërkosh qeveri teknike nga vendi i tretë, duke ëndërruar karrigen e kryeministrit, edhe pse vlerësimi qytetar të ka lënë aty-aty me kandidatin e pestë të fituesit të zgjedhjeve.

Kur Lumir Abdixhiku flet për “dinjitet”, fjalët ndalen për pak.

Sepse s’dihet nëse flet ai që dikur premtonte ringritje, apo ai që e zbriti LDK-në në pikën më të ulët të historisë së saj.

Kryetar pa vizion, pa guxim, pa asnjë fitore por plot leksione për të tjerët.

Dinjiteti nuk matet në studio televizive, por në vendime.

Dinjitet është të mos e katandisësh LDK-në në shtojcë të tri katër partive të tjera,

të mos e shesësh trashëgiminë e Rugovës për një vend në tavolinë,

dhe të mos e fshehësh dështimin pas analizave boshe.

Sepse në fund të ditës, dinjitetin s’e mat dot ai që e ka humbur prej kohësh.

Të ngjashme