Rinor Qehaja, nga instituti “Edguard”, e ka cilësuar si “kërcënim”, paralajmërimin për grevë në sistemin arsimor nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.
Sipas tij, ky veprim në këtë kohë është i papranueshëm dhe i padrejtë ndaj fëmijëve, në rend të parë.
“Greva është mjet i ligjshëm sindikal, mirëpo kërcënimi me grevë në ndërprerje të procesit mësimor, në këtë kohë pas më se dy vite të një mësimi të cunguar në pandemi është i papranueshëm dhe i padrejtë ndaj fëmijëve pikë së pari. Shpresoj shume qe SBASHK të shqyrtoj mjete tjera sindikale, mirëpo jo të ndërpres procesin mësimor”, deklaroi Qehaja në një prononcim për lajmi.net.
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës sot ka paralajmëruar se në tërë sistemi arsimor do të mbahet grevë në rast se kërkesat e punëtorëve të arsimit nuk merren parasysh nga Qeveria e Kosovës.
Vendimi pritet të merret më 2 prill, kur do të mbahet mbledhja e delegatëve të Kongresit të kësaj sindikate.