Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, brenda pak ditëve, dy herë e ka konfirmuar deklaratën e presidentit amerikan, Donald Trump, se kohëve të fundit ka shmangur një përshkallëzim të situatës në kufirin Kosovë – Serbi.
Gjatë vizitës në ShBA, presidentja Osman në dy raste ka thënë se pretendimet e shefit të Shtëpisë së Bardhë janë të vërteta.
Se fundi, gjatë një diskutimi në Hudson Institute, ajo ka thënë se Trump personalisht është marrë me këtë çështje.
Sipas saj, kjo tregon qëllimin e presidentit amerikan për ruajtjen e paqes në rajon.
“Siç e ka thënë Presidenti Trump ai e ka parandaluar një tension, e ka parandaluar një eskalim, atë që Serbia po përpiqej ta bënte në kufirin me Kosovën. Por, ishte angazhimi i tij personal dhe roli i tij që e parandaloi që është një lidership i vërtetë në ruajtjen e paqes”, ka thënë Osmani.
Të njëjtën gjë, e para e vendit, e kishte thënë edhe në diskutimin me profesorin Edward Joseph.
Ajo ka thënë se bëhet fjalë për një parandalim të kohëve të fundit.
“Kur jemi te informatat të mëtejme. Siç thash, ashtu siç e kuptojmë ne bazuar në brifingjet e sigurisë që unë marrë çdo ditë: Presidenti Donald Trump ka parandaluar një përshkallëzim të mundshëm, nëse mund ta quaj kështu, kohëve të fundit. Nuk po flasim për 2023, as 2022, po flasim për zhvillime që janë bash-bash kohëve të fundit. KFOR është aty, është për parandalim. Dhe kanë bërë punë të mrekullueshme në parandalim dhe mirëmbajtjen e sigurisë”, ka thënë Vjosa Osmani.
Derisa presidentja Osmani konfirmoi dy herë deklaratat e presidentit amerikan, Qeveria nuk ka thënë asgjë për këtë çështje.
Kur kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u pyet për deklaratat e Trumpit, ai tha se nuk e ka njw informacion tw tillw.
“Është vështirë të them sepse nuk mund t’i di planet që i kanë, s’i kam as informacionet e tyre, me siguri Shtëpia e Bardhë ka më shumë informacion se çfarë synimesh ka pasur Serbia dhe mund të kenë vepruar kundër tyre, faleminderit shumë. Por ato informacione që kanë ata se çfarë ka bërë si plan konkret kundër Kosovës, ne nuk e dimë. Organet tona bashëpunojnë me ShBA-në, mbase një ditë do t’i kemi ato informacione, por aktualisht nuk i kemi ato”, ka thënë Kurti në intervistë “Tëvë 1”.
Ndryshe nga Kurti, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili pretendon se ka informacione për gjithçka, nuk ka dashur të komentoj këtë çështje.
Dje, derisa është pyetur nga gazetarët, nëse ka ndonjë informacione për këto kërcënime, ai ka rekomanduar gazetarët që ta pyesin presidenten.
“Duhet me i pyet tjerët për këtë çështje. Presidenten Osmani pyetni”, ka thënë Sveçla.
Deklaratat e Trumpit
Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, dy herë gjatë muajit qershor e perëndi ndikimin e tij për të parandaluar një përshkallëzim të situatës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në një konferencë për mediat në Shtëpinë e Bardhë, më 29 qershor, presidenti amerikan ka deklaruar se në muajt e fundit SHBA-ja ka parandaluar një konflikte midis Serbisë dhe Kosovës.
“Serbia, e dini, po përgatitej për luftë, me një grup që as nuk do ta përmend, sepse nuk ndodhi. Ne arritëm ta parandalonim, por kam një mik në Serbi që tha se do të shkojë përsëri në luftë. Nuk do të them se është Kosova, por është Kosova. Ata po përgatiteshin për një luftë serioze, ne e parandaluam. E parandaluam për tregti. Ata donin të tregtonin me Shtetet e Bashkuara. Unë thashë: ne nuk tregtojmë me ata që luftojnë”, ka thënë Trump.
Kurse, më 15 qershor, ai ka deklaruar se edhe në mandatin ai e kishte parandaluar një përshkallëzim në mes të dy vendeve.
“Gjatë mandatit tim të parë, Serbia dhe Kosova po luftonin ashpër, siç kishin bërë për dekada të tëra, dhe ky konflikt i gjatë kërcënonte të përshkallëzohej në luftë. Unë e ndalova atë”, kishte vlerësuar presidenti amerikan.