Kërcënohet zyrtari policor në Pejë pasi i shqiptoi 25-vjeçarit gjobë për kundërvajtje në trafik

Prishtinë | 20 Shk 2023 | 14:55 | Nga Ekonomia Online

Shqiptimi i gjobave për thyerjen e rregullave në trafik bëhen shpeshherë shkas që shoferët të revoltohen dhe t’i pengojnë zyrtarët policorë. Përpos ofendimeve, ata eskalojnë edhe në kërcënime dhe sulme fizike, duke ua vështirësuar kryerjen e detyrave.

Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë pas mesnate në rrugën ‘Konferenca e Bujanit’ në Pejë, ku Policia ka ndalur një veturë, shoferi i së cilës nuk posedonte as patentë shofer, e as dokumente të tjera identifikimi.

Kjo i kushtoi të riut me gjobë, me ç’rast zyrtarët policorë ia shqiptuan një tiketë për kundërvajtje në trafik. I revoltuar pse u gjobit, i dyshuari A.Q., po dyshohet se ka penguar policët, madje njërin prej tyre edhe e ka kërcënuar se do pësojë keq.

Për ta vënë situatën nën kontroll, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku para hetuesve ka dhënë deklaratën e tij lidhur me atë që ka ndodhur.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Kanosje ndaj personit zyrtar’.

Të ngjashme