Kërkesa e kreut të ekzekutivit kosovar, Ramush Haradinaj për mbajtjen e një konference ndërkombëtare për marrëveshjen me Serbinë po shihet si thikë me dy teha dhe shumë e rrezikshme.
Marrëveshjen e marsit të vitit 1999, e njohur si konferenca e Rambujesë, për kreun e Qeverisë do të ishte zgjidhje.
Por ndryshe mendon Adnan Merovci, pjesëmarrës në këtë konferencë, raporton Ekonomia Online.
Sipas tij, mbajtja e një konference e tillë do të ishte absurde. Ai thotë se deklarata e Haradinajt nuk bazohet në një platformë ta hartuar më parë.
Merovci supozon se Haradinaj ka menduar që një konferencë e tillë ta nxjerrë si përfundim çështjen e njohjes së pavarësisë nga Serbia.
“Fillimisht kërkesa për një konferencë dhe referimi si në Rambuje është pak absurde, sepse konferenca duhet ta ketë një qëllim dhe duhet t’i ketë parimet, nëse Rambuje është mbajt për tu ndalë lufta dhe për një vetëqeverisje kalimtare dhe është thënë dhe ka ec si ka ecë e jemi këtu ku jem, një konferencë e re duhet të dihet pse”.
“Mendoj që kryeministri e ka thënë në vazhdën e deklaratave të tij, por nuk është kjo e bazuar në një platformë të para hartuar, mundet të jetë çështje e retorikës së tij që ka të drejtë, por supozoj që ai ka menduar që një konferencë e tillë ta nxjerrë si përfundim çështjen e njohjes së pavarësisë prej anës së Serbisë”.
“Nëse kryeministri ka menduar që të mbahet një konferencë edhe hajde të shohim çka po bëjmë, kjo do ishte non-sense dhe unë kësaj nuk i besoj, as nuk besoj që me ndodhë kjo ka dobi Kosova dhe është e shëndetshme, por as nuk besoj që kryeministri e ka pasë këtë ide”.
Ish-këshilltari i presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, pohon se çështja e një konference ndërkombëtare është thikë me dy teha, duke e konsideruar goxha të rrezikshme.
Ngase sipas tij, kjo e rehabiliton Serbinë duke rrezikuar çështjen e qëndrueshmërisë në përgjithësi të Kosovës karshi edhe botës.
“Kryeministri me një konferencë ndërkombëtare e ka përmend ndoshta Rambujenë veç për me i tregu përmasat e involvimin amerikan, por e ka menduar që rezultati i kësaj konference të dihet dhe rezultati është njohja e pavarësisë nga ana e Serbisë, sepse kur flasim për këtë njohje janë dy momente, është njohja e një shteti plus që në sasi nuk do thotë asgjë, por në cilësi do thotë pasi që është me nënkuptim sepse atëherë kë drejtpërdrejtë punë me Këshill të Sigurimit dhe ndalesa e obstruksioneve që bëhen nga Rusia dhe Kina që dihen”.
“… çështja e një konference ndërkombëtare është thikë me dy teha, është goxha e rrezikshme sepse e rehabiliton Serbinë edhe njëherë me u ulë dhe me diskutuar, ata janë të rryer për të qite tema të ndryshme dhe për të analizuar gjëra të cilat janë të tejkaluara dhe kjo do kishte rrezikuar çështjen e qëndrueshmërisë në përgjithësi të Kosovës karshi edhe botës sepse dihet siç është proklamuar një marrëveshje, njohjet janë ndalë dhe është normal që ndalen sepse po thuhet se po negociojmë”.
Për analistin politik, Ramush Tahiri asnjë konferencë ndërkombëtare nuk mund të mbahet pasi që Kosova është shtet i pavarur.
“Asnjë konferencë ndërkombëtare për Kosovën nuk mund të mbahet, nuk besoj që as për vendet e Ish – Jugosllavisë mund të mbahet, pasi që Kosova është shtet i pavarur dhe çështja e statusit të saj nuk është objekt i asnjë objekte ndërkombëtare, as nuk është luftë e as nuk mundet legalisht me kushtetutë askush ta kërkon një konferencë të tillë”.
Tahiri i tha Ekonomia Online, me konferencën e Rambujesë është ndalur lufta në Kosovë, prandaj përsëritja e saj është e panevojshme.
“Serbia për saktësi nuk e ka ftuar konferencën e Rambujesë, e kanë ftuar bashkësia ndërkombëtare, SHBA dhe vendet e BE-së dhe Serbia ka qenë palë aty së bashku me Kosovën, por asnjë status të priveligjuar karshi Kosovës nuk e ka pasur në Rambuje dhe Rambujeja ka qenë një konferencë e cila e ka ndalë luftën në Kosovë dhe faktikisht e ka bërë arsyetimin politik, por edhe ligjor të intervenimit të NATO-s dhe intervenimi i NATO-s nuk ka qenë kundër popullit të Kosovës as kundër UÇK-së, po ka qenë kundër forcave paramilitare ushtarake serbe”.
Sipas tij, në këtë fazë e nevojshme është marrëveshja ndërshtetërore për të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke shtuat se asnjë arsye për konferencë ndërkombëtare nuk mund të këtë.
“E nevojshme është marrëveshje ndërshtetërore për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, a pranohet a jo është çështje e Serbisë. Kosova është e pranuar nga shtetet kryesore, është e pranuar nga populli i vet ka kontroll efektiv të terrenit, e ka policinë, ushtrinë dhe gjithë mekanizmat që i ka një shtet, e ka ekonominë e ka buxhetin e vet”.
“…ka marrëdhënie diplomatike me shtete e tjera ka ambasador pranon ambasador këtu dhe me Serbinë nuk jemi në gjendje lufte, kufirin e Kosovë i ruan edhe KFOR-i dhe është mekanizmi ndërkombëtar gjithashtu ne kemi këtu mekanizma ndërkombëtar në Kosovë dhe që në një formë këshillojnë ose mbikëqyrin proceset demokratike në Kosovë nuk kemi konflikte ndër etnike”.
“Asnjë arsye për konferencë ndërkombëtare me Serbinë për statusin e Kosovës nuk ka as mundet me pasë dhe me Serbinë duhet biseduar dhe po bisedojmë si dy shtete sovrane dhe të pavarura dhe po i rregullojmë proceset që konsiderojmë që duhet me u rregulluar qysh jon raportet me vendete e tjera”.
Haradinaj ditë më parë i tha Ekonomia Online se nëse do të ftohej në një konferencë të llojit si ajo e Rambujesë, Kosova nuk do ta kishte pengesë ta diskutonte edhe heqjen e taksës.
“Kosova është e gatshme me mbërri një marrëveshje me Serbinë, sikurse ta zëmë të na ftojnë në një konferencë sikurse Ramuje, ne nuk e kishim penguar atë me taksë. Pra një konferencë me u marrë vesh për një marrëveshje”.