Ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, Skender Hyseni, ka marrë një letër nga Sekretari i Përgjithshëm i INTERPOL-it, JurgenStock, lidhur me aplikimin për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.
“Jam i lumtur të ju njoftoj se Komiteti Ekzekutiv i INTERPOL-it në takimin e fundit në Lyon të Francës nga 31 maj – 2 qershor 2017 ka vendosur ta përfshijë aplikimin për anëtarësim në INTERPOL të Republikës së Kosovës në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme të 86-të e cila do të mbahet në Pekin të Kinës nga 26-29 shtator 2017”, thuhet midis tjerash në letrën e Sekretarit të Përgjithshëm, z. JurgenStock, drejtuar ministrit Hyseni.
Po ashtu, në këtë letër, ministri Hyseni njoftohet se këshilltari ndërkombëtar HansCorell, i cili ishte emëruar për të udhëhequr një studim rreth procesit të anëtarësimit në INTERPOL, ka finalizuar punën e tij dhe raportin ia ka dorëzuar Komitetit Ekzekutiv.
Bazuar në këtë raport, Komiteti Ekzekutiv do t’i paraqesë Asamblesë së Përgjithshme për aprovim një kornizë të udhëzimeve për procesin e anëtarësimit. Pas aprovimit të këtyre udhëzimeve pritet votimi i aplikacioneve për anëtarësim, përfshi këtu edhe atë të Kosovës.
Ministri Hyseni, në kuadër të intensifikimit të aktiviteteve rreth anëtarësimit, sot ka kërkuar nga Grupi Punues ndërministror që të takohet rregullisht për të bërë çfarëdo që kërkohet në mënyrë që votimi në shtator të jetë i suksesshëm.