Katër mauna me produkte të kompanisë “Relux” janë nisur gjatë së premtes për në Gjermani e Francë. Pronari i kësaj kompanie, Ramiz Gashi, ka thënë për Ekonomia Online se edhe të hënën po kaq mauna kanë shkuar në vendet e BE-së.
Gashi ka treguar se edhe pse nuk është detyruar të largojë punëtorë nga puna pandemia u ka shkaktuar humbjen e tregut jo vetëm të Evropës, por edhe atë të Kinës.
“Si çdo herë po e mbarojmë javën me një eksport që nisen tri për Francë dhe një për Gjermani. Të njëjtit i patëm edhe në fillim të javës, ditën e hënë. Gjatë gjithë javës na ka ndjekur vetëm eksporti. Jo vetëm ne por çdo prodhues në të gjithë globin ka pasur problemet e veta në këtë pandemi sidomos ne në Kosovë që kemi kushte shumë të vështira në krahasim me shtetet e tjera. Kemi pasur shumë humbje deri më tani”.
“Realisht ne vitin e kaluar nuk e kemi larguar asnjë punëtorë nga puna, kurse këtë vit vetëm kemi shtuar. Fatmirësisht kemi gjetur një treg në Francë dhe në Gjermani që na ka mundësuar edhe të mos largojmë punëtorët tanë nga puna. Ndërsa në anën tjetër kemi pasur humbje sepse ne kemi pasur vetëm një treg të garantuar jo vetëm në Evropë por edhe në Kinë”.
Ai ka thënë se pandemia ka shkaktuar çrregullimin e tregut si dhe ngritjen e çmimit për lëndën e parë.
“Kemi pasur nga stafi të infektuar, një prej tyre kam qenë edhe vet, kjo na ka shkaktuar probleme të mëdha. Pandemia kryesisht e ka prekur prodhimin, konkretisht ka prekur logjistikën, furnizimin dhe në anën tjetër tani kemi një treg të çrregulluar të ngritjes së lëndës së parë e cila na ka shkaktuar dëme si pasojë e pandemisë”.
Ndërsa nga Qeveria, Gashi ka kërkuar që të merret me kërkesat dhe mungesat e bizneseve në vend.
“Deri më tani vetëm një herë kemi pranuar ndihmë që ka qenë 280 euro për punëtor përndryshe nuk kemi pasur ndonjë ndihmë apo vizitë. I bëjë ftesë Qeverisë që të hap sytë dhe të afrohet afër prodhuesve që janë potencial për eksport dhe të shikoj se çfarë po duam ne dhe ku kemi mungesat tona. Çdo ndihmë e Qeverisë është e mirë e lehtëson punën por për neve nuk ka qenë edhe ndonjë ndihmë e madhe”.
Përderisa drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve, Astrit Panxha, e konsideruar lajm të mirë nisjen e këtyre maunave për BE.
Sipas Panxhës kërkesa e vendeve të BE-së për prodhimet e Kompanisë “Relux”, është sinjal i cilësisë që ofron kjo kompani.
“Ne zakonisht si Klub i Prodhuesve vizitojmë prodhuesit anë e mbanë Kosovës, arsyeje edhe më e mirë është kur pronarët në këtë rast Ramizi na njofton që ka eksport për vendet e Bashkimit Evropian. Eksporti është diçka që ne gjithmonë e promovojmë dhe kur kemi eksport tregon që produktet e Kosovës në këtë rast Relux është produkt me cilësi të lartë pasi gjermanët nuk blejnë çfarëdo lloj produkti as francezët. Për neve është lajm i mirë që sot katër mauna po nisën për Gjermani e Francë edhe diskutuam se cilat janë mundësitë e bashkëpunimit, cilat janë nevojat si fabrikë dhe të shtyjmë proceset përpara”, ka thënë Panxha për EO.
Fabrika “Relux” prodhon bazat e ngjyrës dhe fasadës, bazat për qeramikë, ngjitës të ndryshëm si dhe shumë artikuj të tjerë. Të njëjtit që eksportohen për Francë, Gjermani e Kinë.