Mediet malazeze sot kanë raportuar se Ministria e Drejtësisë në Kosovë ka ngritur padi kundër Komunës së Budvës në Mal të Zi, duke kërkuar kthimin e 4 mijë e 500 metrave katror tokë në “Rafailoviq”. Përveç kësaj, thuhet se Kosova po kërkon edhe kthimin e 33 mijë metrave katror tokë në Gjirin e Kamenovës.
Ish ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku, tha se çështje të tilla duhet të trajtohen me delikatesë dhe larg presionit publik.
Postimi i plotë:
E mbaj në mend shumë mirë, njohja nga Mali i Zi ka qenë jo vetëm e rëndësishme, por edhe përcaktuese për njohjet që kanë pasuar.
Mali i Zi na ka njohur përkundër rezistencës pro-Serbe dhe pro-Ruse.
E vërteta është se me qeverinë aktuale në Mal të Zi, gjërat janë më të komplikuara seç kanë qenë më parë.
Ne nuk guxojmë të veprojmë në mënyrë të papërgjegjshme. Çështje të tilla duhet të trajtohen me delikatesë dhe larg presionit publik.
Mali i Zi është mik i Kosovës, dhe këtë e ka dëshmuar jo vetëm me qëndrime, por edhe me vepra në momente kyçe për shtetin tonë. Është mirë të trajtomë miqtë tonë me respektin që meritojnë.