Deputeti i Partisë Demokratike (pjesë e Rithemelimit), Tritan Shehu, është shprehur se mazhoranca socialiste nuk pranon që të kalojë për votim në Kuvend një kërkesë të një grupi deputetësh të opozitës, që Parlamenti i Shqipërisë të njohë dhe dënojë gjenocidin serb në Kosovë.
Komentet Shehi i bëri në një lidhje për Euronews Albania, ku tha se kërkesa e opozitës ka edhe një pikë të rëndësishme, që thotë se Shqipëria duhet të asistojë qeverinë e Kosovës në Gjykatën Europiane për paraqitjen e dosjes së plotë, që edhe kjo ta njohë gjenocidin serb.
Ai tha gjithashtu se shkak që mazhoranca shqiptare nuk pranon diçka të tillë, është për shkak të lidhjeve të kryeministrit Edi Rama me presidentin serb Aleksandër Vuçiç.
“U bë rreth 2 vite, që është përsëritur kërkesa e një grupi deputetësh të PD-së, që Parlamenti i Shqipërisë të njohë dhe të dënojë formalisht gjenocidin serb në Kosovë. Por ka edhe një pikë të rëndësishme, që i kërkohet qeverisë shqiptare që të asistojë qeverinë e Kosovës, pranë Gjykatës Ndërkombëtare, për paraqitjen e dosjes së plotë që edhe kjo të njohë gjenocidin serb në Kosovë në vitet 90. Pse? Sepse qeveria e Kosovës vetëm nuk mund ta bëjë një gjë të tillë, meqë Kosova nuk është në OKB. Vetëm Shqipëria e ka për detyrë ta bëjë.
Qeverisë i mungon ky vullnet. Kjo bën që të ndalohen edhe procedurat për njohjen ndërkombëtare për njohjen e gjenociodit serb në Kosovë, që duhet të kalojnë në Gjykatën Ndërkombëtare. Kemi shkelje të rregullores. Rregullorja thotë qartësisht që në momentin që dorëzohet një kërkesë e tillë pranë Konferencës së Kryetarëve, edhe nëse ajo nuk është dakord për ta kaluar në seancë plenare dhe seanca plenare do e votojë nëse do hapë diskutimin apo jo.
Pra kemi një shkelje shumë të rëndë të rregullores, të demokracisë së parlamenteve, me qëllim të qartë, për të mos kaluar kjo rezolutë që dënon gjenocidin serb në Kosovë dhe ku i rekomandohet qeverisë shqiptare për asistimin e qeverisë së Kosovës në Gjykatën ndërkombëtare, të bllokohet.
Kemi një veprim keqdashës, në kundërshtim me të vërtetën historike dhe realitetin. Qeveris shqiptare nuk e bën sepse janë influencat dhe lidhjet me Vuçiç dhe Vuçiç është i lidhur me Rusinë. Është presion i Vuçiç mbi Ramën që të bllokohet ky realitet historik. Kjo po vë në vështirësi edhe NATO-n dhe forcat e tjera që vepruan në Kosovë”, tha Shehu./Euronews Albania