Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare në Morinë në hyrje bënë ndalimin e Valdrin Nikçit, 31 vjeç, banues në fshatin Nebërgjan të Pejës.
Ai kërkohej nga autoritetet belge pasi ndaj tij ka një dënim me 2.6 vite burg për trafik droge. Arrestimi provizor u bë me qëllim ekstradimin e tij në shtetin e Belgjikës.
Gjatë përpunimit të dokumentacionit, ky shtetas rezultoi person në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Belgjikë. Gjykata e Shkallës së Parë Bruges-Belgjikë, më datë 25.11.2016, e ka dënuar 2 vite e 6 muaj burg për veprën penale “Pjesëmarrje në grup kriminal me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal Belg.
Në përfundim të veprimeve hetimore specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve në DVP Kukës, bënë arrestimin provizor të tij, me qëllim ekstradimin në shtetin belg, si dhe referuan materialet për veprime të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës.