Gjatë debatit parlamentar për të drejtat e punëtorëve dhe adresimin e papunësisë, deputeti Naser Rugova, në emër të GP të LDK-së, tha se institucionet duhet të kenë qasje më të mirë ndaj sektorit privat.
“Situata nuk është e mirë në dy fushat që po debatohet sot. Duhet angazhim i secilit prej nesh dhe institucionet duhet të emancipohen ndaj qasjes për sektorin privat. Duhet ta vlerësojmë sektorin privat në ekonominë e tregut. Sektori privat duhet të hartojë programe gjithëpërfshirëse, jo vetëm një task forcë”.
Xhevahire Izmaku, në emër të GP të PDK-së, tha se këta mekanizma si rezoluta nuk mjaftojnë për zgjidhje të problemit. Sipas saj, duhet ende punë për t’u bërë.
“Ne mendojmë që nuk mjaftojnë këta mekanizma, ende ka punë për të bërë në avancim të së drejtës dhe në implementim të ligjeve që i keni bërë vend. Të gjithë sektorët në sektorin privat kanë nevojën për kujdesin tonë si deputetë, kanë nevojë për mbrojtjen e këtij shteti e për këtë nuk do të kursejmë asnjë ministër, qoftë edhe ministrat e partisë sime që nuk janë në krye të mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve”.
Fatmire Mullhaxha-Kollçaku, në emër të GP të LVV-së, tha se duhet të rritet besueshmëria mes inspektoratit, kompanive dhe punëmarrësve, raporton Ekonomia Online.
“Obligimi i një subjekti për të hartuar dokumentime të vlerësimit të rrezikut, sa kompani kanë hartuar një dokument të tillë, për të siguruar shëndetin mos të themi për t’ia siguruar jetën. Këtë vit kemi pasur 6 vdekje me fatalitet në punë, vitin e kaluar 11, e lëre më edhe lëndimet të cilat nuk raportohen”.
“Çka po ndodh me ato kompani që ka raste të përsëritura në punë. Duhet të rritet besueshmëria mes inspektoratit dhe kompanive dhe punëmarrësve. Nëse inspektorati kryen punën si duhet, ku vepron këshilli ekonomik-social aty ku funksionon kontrata kolektive. Këto kompani operojnë të lira pa u ndëshkuar”.
Faton Topalli në emër të GP të PSD-së, ironizoi me rezolutën e VV-së duke thënë se e njëjta është shtruar “dje” por nga një parti tjetër, PDK-ja.
“Sektori privat është shkelësi kryesor i të drejtave të punëmarrësve. Debatet parlamentare i shërbejnë partisë dhe jo qëllimit që është thirrur. Kemi vetëm 23 inspektorë të punës, do duhej të rritej numri, si Kuvend jemi treguar joserioz, kemi nxjerr rezolutë joserioze”.
Enver Hoti, nga Nisma SocialDemokrate, tha se duhet të merren masa nëse nuk zbatohet ligji, raporton EO.
“Kjo është një inciativë që është dashur të ndodhë. Që nga kontratat nëse ofrojnë shërbime në sektorin privat, nga shkelja e të drejtave, shkelja e pushimit javor. Ne duhet të marrim masa nëse nuk po zbatohet ligji. Ligji është në procedim, ka disa pika të rezolutës që do duhej të harmonizoheshin ose të kenë ndryshime rrënjësisht”.