Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti i Përgjithshëm, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë – Dega Vushtrri caktimin e
paraburgimit për të dyshuarin Sh.Sh nga Vushtrria, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “Sulm ndaj personit zyrtar” nga neni 402, paragrafi 4 lidhur me paragrafin 2 dhe paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas kërkesës së prokurorisë të dorëzuar në gjykatë, ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari Sh.Sh, me datën 10.12.2019, rreth orës 15.15 në Vushtrri, e ka sulmuar personin zyrtar R.B, gjyqtar mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Mitrovicë – Dega Vushtrri, në lidhje me detyrën zyrtare, konkretisht për shkak të një urdhërese, të cilën i dëmtuari në kuadër të detyrës së tij zyrtare e kishte nxjerrë ndaj të pandehurit Sh.Sh.
I dyshuari Sh.Sh fillimisht e ndjek nga pas të dëmtuarin R.B, pastaj nga mbrapa e godet në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore në regjionin e fytyrës dhe këmbëve.
Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar që i dyshuari Sh.Sh ka kryer veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar” nga neni 402, paragrafi 4 lidhur me paragrafin 2 dhe paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
I dyshuari është arrestuar pas sulmit dhe i njëjti gjendet në ndalim 48 orësh. Seanca për caktimin e paraburgimit pritet të mbahet para gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore në Mitrovicë.