Aktakuzat për “Korrupsion”, “Konflikt interesi” e “Shpërdorim të detyrës zyrtare” nuk i ndalin zyrtarët e lartë shtetërorë që të vazhdojnë punën e tyre në institucionet më të larta shtetërore. Kjo çështje është shumë shqetësuese për zyrtarë të shoqërisë civile, të cilët kërkojnë që kjo praktikë të ndalet pasi ndikon në zbehjen e imazhit të institucioneve, pjesë e të cilave janë këta persona të akuzuar, si dhe në punën e pavarur të sistemit të drejtësisë, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Të gjithë zyrtarët e lartë shtetërorë të cilët përballen me aktakuza duhet të japin dorëheqje ose të suspendohen nga postet e tyre deri në vendimin e gjykatës për fajësinë apo për pafajësinë e tyre.
Kështu po vlerësojnë zyrtarë të shoqërisë civile, të cilët monitorojnë rastet e korrupsionit.
Sipas tyre, zyrtarët aktualë të cilët përballen me aktakuza të ndryshme, duke përfshirë Besim Beqajn, ministër i Ministrisë së Inovacionit dhe të Ndërmarrësisë, i cili akuzohet për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” në rastin e njohur si afera “Pronto”, pastaj Valdrin Llukën, ministër i Zhvillimit Ekonomik, i cili në këtë pozitë kishte ardhur edhe pse po akuzohej për “Konflikt të interesit”, duhet të lirohen nga detyrat e tyre deri në aktgjykimin e gjykatës.