Kërkohet mbrojtje institucionale për punonjësit shëndetësorë

Prishtinë | 27 Sht 2020 | 16:57 | Nga Ekonomia Online

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi ka vizituar infermierin i cili është therur të shtunën me thikë në vendin e tij të punës.

Në një vizitë bashkë me kryetarin e Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, kryetarin e Sindikatës së Infermierëve, Fitim Havolli, përfaqësuesin e Odës së infermierëve, Muharrem Arifi dhe Flutura Sinani, nga Shoqata për të drejtat e pacientëve, kanë kërkuar mbrojtje institucionale për të gjithë punonjësit shëndetësorë.

Siç bëhet e ditur përmes një komunikate për media, ata gjatë vizitës kanë shprehur keqardhje lidhur me sulmin, duke i ofruar mbështetjen e këtyre institucioneve për infermierin.

“Duke i uruar shërim të shpejtë, u urua që ky të jetë rasti i fundit dhe institucionet kompetente të ndërmarrin masa që sulmuesit e punëtorëve shëndetësorë të dalin para drejtësisë. Po ashtu, është kërkuar mbrojtje institucionale për të gjithë punonjësit shëndetësorë”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu njoftohet se gjendja shëndetësore e infermierit është stabile.

Të ngjashme