Libri “Mësimdhënia e historisë bashkëkohore e Evropës Juglindore” i botuar në kuadër të “Projektit të Historisë së Përbashkët” të organizatës “Qendra për demokraci dhe pajtim në Evropën Juglindore” (CDRSEE) po kritikohet nga përfaqësues të shoqërisë civile, si dhe të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK).
Sipas tyre, në libër, nuk janë paraqitur ngjarjet kryesore historike që kanë ndodhur në Kosovë e ato që janë përfshirë në libër janë shtrembëruar. Për këtë po kërkohet që urgjentisht libri të ndryshohet, shkruan sot “Koha Ditore”.
Në kuadër të “Projektit të historisë bashkëkohore”, të financuar nga Bashkimi Evropian, janë botuar 6 vëllime të librit “Mësimdhënia e historisë bashkëkohore e Evropës Juglindore”. Vëllimet janë përkthyer në të gjitha gjuhët e Ballkanit dhe janë promovuar në shumë prej kryeqyteteve të rajonit përfshirë edhe në Kosovë. Libri do të përdoret si tekst alternativ nga mësimdhënësit e historisë në vendet e Ballkanit. Në këtë projekt kanë qenë të angazhuar historianë nga i gjithë Ballkani, derisa nga Kosova ka qenë akademik Frashër Demaj.
Publicisti dhe drejtori i organizatës “Admovere”, Shkëlzen Gashi, thotë se në librin “Mësimdhënia e historisë bashkëkohore e Evropës Juglindore”, shumë ngjarje tejet të rëndësishme të historisë së re të Kosovës (1990-2008) nuk figurojnë fare.