Komisioni për Buxhet dhe Financa ka shqyrtuar kërkesën e Qeverisë së Kosovës për konsultim lidhur me Vendimin për ndryshimin e normës së tatimit të akcizës.
Zëvendësministri i Financave, Fatmir Gashi, tha se duhet të përkrahet industria e duhanit pasi që, sipas tij, ajo do të garantojë eksport, raporton Ekonomia Online.
“Në muajin shkurt të këtij viti, zyra e kryeministrit ka marrë një letër nga Oda Ekonomike e cila i ka bashkangjitur një analizë të detajuar lidhur me situatën e industrisë së duhanit e përmes kësaj është kërkuar nga qeveria që të ketë mbështetje për këtë industri. Pas kësaj qeveria ka formuar Komisionin për formimin e koncept-dokumentit në prill të vitit 2018. Pas këtij hartimi është lëshuar në diskutim publik ku janë marrë disa vërejtje. Pas kësaj është dorëzuar koncept-dokumenti i cili është aprovuar në qeveri”.
“Unë e kuptoj shqetësimin e Bashkimit Evropian dhe nuk du të parafrazoj me ta, ata kanë drejtë ta mbrojnë MSA-në, mirëpo duhet ta mbrojnë në mënyrë reale dhe të na japin hapësirë si shteteve tjera. Ky vendim është i përkohshëm, mirëpo do të harmonizohet me direktiva dhe MSA-në. Në qoftë se e zhvillojmë këtë industri ne e zhvillojmë bilancin tregtar dhe është i garantuar eksporti i tij”.
Naser Osmani tha se duhet të ndryshohet ligji për duhanin, raporton EO.
“Ligji për duhanin në Kosovë është krijuar në momentin më të papërshtatshëm, faktikisht është kriju në kohën kur është bërë privatizimi i ndërmarrjeve të cigareve në Serbi, dhe ka qenë ligj i disfavorshëm për prodhuesit e duhanit, sidomos në Gjakovë dhe Gjilan. Unë mendoj që duhet me formu një grup dhe me ndryshu ligjin”.
Dardan Molliqaj tha se industria e duhanit mund të luajë rol për punësim dhe zhvillim për sektorin industrial.
“Industria e duhanit në Kosovë mund të jetë një sektor jo aq përcaktues, por një sektor që mund të luajë një rol sado të vogël për punësim dhe zhvillim për sektorin industrial në Kosovë dhe shteti duhet të krijojë kushte për me subvencionu dhe mbështet dhe me kriju lehtësira tjera”.