Shoqëria “Lëvizja” ka dorëzuar në Prokurorinë Speciale 12 lëndë për hetim dhe ndriçim, për raste kur drejtues të Lëvizjes Popullore të Kosovës janë vrarë në burgje e rrethana të tjera nga shteti pushtues dhe bashkëpunëtorët e tij.
Xhevat Bislimi, nga Shoqëria “Lëvizja”, tha se pret që të bëhet zgjidhja e lëndëve që u dorëzuan në Prokurorinë Speciale dhe të ndriçohet fati i veprimtarëve për të cilët nuk dihet se si u vranë, raporton Ekonomia Online.
“Sot dorëzuam 12 lëndë për t’u hetuar vrasja dhe mbytja në burg e veprimtarëve dhe drejtueseve të Lëvizjes Popullore kryesisht, por edhe të Lëvizjes Kombëtare përgjithësisht. Duke filluar nga Shaban Shala, Vëllezërit Gërvalla, Kadri Zeka, Nuhi Berisha, etj., e deri tek Ukshin Hoti”, tha Bislimi.
Bislimi bëri të ditur se kanë edhe raste të tjera të cilat do t’i dorëzojnë në të ardhmen.
“Janë edhe dhjetëra raste të tjera që do i dorëzojmë më vonë, janë lëndë në përgatitje dhe besojmë që Prokuroria Speciale e shtetit tonë do t’i hetojë këto raste, do t’i dërgojë deri në fund, sepse sot janë të gjithë dëshmorë të kombit dhe heronj, prandaj fati i tyre duhet të ndriçohet që shoqëria jonë të ketë ndërgjegjen e qetë dhe publiku, familjet, populli ynë, të dijë për fatin e tyre si u mbytën, si u arrestuan, si u torturuan, etj.”, tha ai.
“Kërkojmë nga Prokuroria Speciale t’i hetojë të gjitha rrethanat në të cilat janë vrarë apo mbytur në burg veprimtarët e Lëvizjes Popullore dhe Kombëtare që atëherë quheshin armiq dhe tani janë heronj”, tha Bislimi.
Ndërsa, Bajram Ajeti tha se ka besim që Prokuroria Speciale do të veprojë për zgjidhjen e këtyre lëndëve dhe nuk dëshiron ta humbasë besimin në sistemin e drejtësisë në Kosovë pasi që, sipas tij, nëse humbet besimi në këtë, atëherë shteti nuk funksionon si i tillë, raporton EO.
“Ne besojmë që është detyrë e Prokurorisë të ndriçohet fati i tyre edhe si bashkëveprimtarë shumë njerëz të cilët janë likuiduar në rrethana të paqarta, por përgjegjësit që mendojmë që janë, shëtiten në rrugët e Kosovës dhe pa përgjegjësi dhe as pa kërkuar falje për ato dëme që kanë bërë edhe në mbytjen e njerëzve nëpër burgje, vetëm pse e kanë dashur atdheun e vet dhe e kanë mbrojtur idealin e tyre dhe besoj që prokuroria do t’i ndriçojë këto raste deri në fund”, tha Ajeti.
Ajeti tha se, sipas tij, vrasës të këtyre heronjve janë disa persona të cilët vazhdojnë të jetojnë në Kosovë, por hezitoi të flasë me emra.
“Për këta heronj dhe dëshmorë për të cilët u dorëzuan sot këto kallëzime penale, unë mendoj se përgjegjës është ish-pushteti apo siç ka thënë Baca Adem, parazitët e Kosovës të lidhur me Beograd, kryesisht kanë qenë bartës të sistemit të drejtësisë, sigurisë, të gjithë ata njerëz të cilët janë dhe jetojnë ende në Kosovë”, tha ai.