Prokuroria Themelore në Gjilan, më 18 maj 2019, rreth orës 20:30 minuta, ka ndaluar 5 persona, në mesin e tyre dhe një i mitur, për shkak të dyshimit se tek të njëjtit janë gjetur 1095.7 gram narkotikë të llojit ‘’Marihuanë’’.
Ekziston dyshimi i bazuar se, të dyshuarit B.H., H.K., F.SH., M.A., dhe i mituri L.A., më 18 maj 2019, rreth orës 20:30 minuta, në lagjen ‘’Muharrem Ibrahimi’’, në Gjilan, pa autorizim dhe me qëllim të shitjes apo shpërndarjes kanë poseduar narkotikë, me ç’rast gjatë kontrollimit, në automjetin e tyre, të cilin e drejtonte i mituri L.A., janë gjetur 1095.7 gram narkotikë, e llojit ‘’Marihuanë’’, e cila edhe është konfiskuar nga ana e policisë.
Prokuroria, sot ndaj tyre ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit, nga Gjykata kompetente në Gjilan, për shkak të veprës penale ‘’Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.