Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurve L.C., dhe E.R., të cilët dyshohen se ndihmuan një të pandehur tjetër në rrëmbimin e një të mituri.
Në njoftimin e Prokurorisë, thuhet se dy të pandehurit dyshohen se më 20 korrik ndihmuan të pandehurin e tretë (i cili gjendet në arrati), për rrëmbimin e të miturit, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit L.C. dhe E.R., më 20 Korrik 2024, në komunën e Gjilanit, me qëllim të përfitimit material, kanë ndihmuar të pandehurin e tretë, i cili gjendet në arrati, në kryerjen e veprës penale të rrëmbimit, në atë mënyrë që me veturë e kanë transportuar të njëjtin së bashku me të dëmtuarin e mitur nga komuna e Preshevës, nëpër lokacione të ndryshme, edhe pse kanë qenë në dijeni se i mituri ishte rrëmbyer nga i pandehuri i tretë, të cilin e kanë mbajtur të mbyllur në veturë, me qëllim që mos ta dorëzojnë gjersa vëllai i tij të kryente obligimin për transportim të substancës narkotike, për në Beograd”, thuhet në njoftim.
Dy të pandehurit dyshohen se kanë kryer veprën penale ‘’Ndihma në kryerjen e veprës penale të rrëmbimit’’, nga neni 33 lidhur me nenin 191 dhe nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Bëhet e ditur se të pandehurit L.C., dhe E.R. me urdhër të prokurorit gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh.