Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Përgjithshëm përmes një komunikate për media ka njoftuar ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj caktimin e masës së paraburgimit ndaj të të pandehurit J.U., nga Ferizaj,i cili me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh për shkak të dyshimit të veprave penale“Mashtrimi me subvencione” nga neni 324 dhe “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 390 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se në periudhën kohore mars-prill të vitit 2020, i pandehuri J.U., në bashkëkryerje me të pandehurën Sh.R., dhe pas një marrëveshje paraprake në mes vete, në emër të biznesit Korporata Energjetike “Elektrika” në Ferizaj, ka aplikuar në sistemin online të Administratës Tatimore të Kosovës, për gjithsej nëntëmbëdhjetë (19) persona dhe ka përfituar në emër të vendimit me nr.32/20 të datës 15.04.2020, i plotësuar/ndryshuar me vendimin numër 32-1/2020 të datës 22.04.2020. Kjo sipas masës 14 për mbështetje financiare për shoqëritë tregtare dhe punëdhënësit tjerë, në atë mënyrë që kanë regjistruar punëtor me kontratë pune së paku një vjeçare duke përfituar nga 130 euro për dy muaj për marrjen e subvencioneve lidhur me pakon emergjente të pandemisë Covid 19. Ku në këtë mënyrë të njëjtit kishin arritur që përmes paraqitjes së rreme të të dhënave të përfitojnë subvencione nga Ministria e Financave për dy muaj, duke i shkaktuar kështu dëm material buxhetit të Republikës së Kosovës në shumën prej 4,940,00 euro, me këtë në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Mashtrimi me subvencione” nga neni 324 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)-së.
Po ashtu, ndaj të njëjtit, ekziston dyshimi i bazuar se në periudhën kohore mars-prill të vitit 2020, në Ferizaj, saktësisht në biznesin Korporata Energjetike “Elektrika”, i pandehuri J.U., me dashje dhe në vazhdimës ka përpiluar dokumente të falsifikuar me qëllim të shfrytëzimit të këtyre dokumenteve si origjinal edhe pse asnjërin prej personave nuk i kishte regjistruar në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), si dhe nuk i’u kishte paguar kontributet pensionale por kjo ishte bërë vetëm për të aplikuar për marrjen e subvencioneve të punëtorëve, me këtë ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve në vazhdim” nga neni 390 paragrafi 1 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).