Gjilan, 18 janar 2019 – Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për krime të rënda, sot, në Gjykatën kompetente në Gjilan, ka paraqitur kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të dyshuarit I.A., për shkak të dyshimit se ka kryer veprat penale ‘’Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’’ nga neni 365 paragrafi 8, 7, 6 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ nga neni 374 paragrafi 1 të KPRK-së.
Dyshohet që më 17 janar 2019, në fshatin Sodovinë e Qerkezëve, komuna e Vitisë, i dyshuari I.A., nga pakujdesia ka shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve, në atë mënyrë që i pajisur me armë, gjatë një ahengu familjar, në të cilin kishte të pranishëm shumë njerëz, e nxjerrë armën nga brezi dhe shkrep brenda dhomës, me ç’rast edhe ka goditur një herë me një predhë të dëmtuarin S.B., në krahun e majtë dhe në pjesën e pasme të shpatullës së majtë, i cili për shkak të lëndimeve të rënda trupore është dërguar për tretman mjekësor në Spitalin Regjional në Gjilan.
Gjithashtu, i dyshuari, pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armët, ka mbajtë në pronësi armë zjarri, e cila edhe është sekuestruar nga policia.
Prokuroria, ka propozuar masën e paraburgimit, me qëllim të sigurimit të kushteve sa më normale për zhvillim e procedurës penale, për të cilën pritet që brenda afatit ligjor të vendosë Gjykata Themelore në Gjilan.