Kërkohet paraburgim për 48 orë për ish-zyrtarët policor, vendimi merret pasdite

Prishtinë | 30 Maj 2019 | 11:01 | Nga Nexhmie Hyseni Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në Gjykatën Themelore, në Departamentin e Krimeve të Rënda është mbajtur seancë dëgjimore për 9 ish-policët që janë arrestuar të martën në veri. Seanca ka filluar në orën 8:30 dhe ka përfunduar në orën 12:00, raporton Ekonomia Online.

Seanca është mbajtur pas kërkesës së Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së sigurisë ndaj tyre.

Asdren Hoxha avokat i Jasna Derleviq, ish- policës kufitare që u arrestua dje në veri të vendit në aksionin policor për krim të organizuar, kontrabandë e korrupsion, tha se seanca është ndarë në dy grupe pasi kanë munguar avokatët.

Vendimi për të dy grupet pritet të merret pas përfundimit të orarit të punës.

“Rasti i policëve dhe qytetarëve të arrestuar në veri të Kosovës është ndarë në dy grupe, pra për disa është mbajtur dje, e për disa të dyshuar sot, e cila është ende në vazhdim e sipër, pse janë ndarë në dy grupe është shkaku se disa nga të arrestuarit nuk kanë pasur avokatë në ditën e djeshme dhe pa prezencën e avokatëve seanca nuk mundë të mbahet”.

“Grupi i parë e ka përfunduar seancën dje rreth orës 19:00 ndërsa grupi i dytë është ende duke e mbajtur seancën. Është seanca dëgjimore ku merren në pyetje ata dhe deklarohen për kërkesën lidhur me paraburgimin. Besoj se seanca e dytë e grupit që po mbahet sot pritet të përfundoj diku rreth orës 12:00 vendimi i përbashkët pritët që të merret sot diku ka përfundimi i orarit të punës”.

Avokati Isa Hyseni nga Mitrovica, që përfaqëson një nga të arrestuarit e që nuk deshi të tregoj kend, tha se është propozuar që ndaj të gjithë të pandehurve tu shqiptohet masa e paraburgimit për 48 orë.

“Sot është mbajtur seanca e paraburgimit, prokurori i prokurorisë speciale të Republikës së Kosovës ka propozuar që të gjithë të pandehurit të i shqiptohet masa e paraburgimit”.

“Gjykatësi i procedurës paraprake të Gjykatës Themelore në Prishtinë na ka njoftuar se i njëjti do të hartoj aktvendimin lidhur me kërkesën për përcaktimin e paraburgimit për 48 orë”.

“Për të dyja grupet nuk e di unë mundem me dhanë informacione vetëm për sot, sipas  të gjitha gjasave do të shqiptohet dhe komunikohet aktvendim për të gjithë”.

Policia e Kosovës të martën ka arrestuar 19 zyrtarë policor gjatë një aksioni të gjerë kundër rrjeteve të organizuara të kontrabandës me mallra.

Inspektorati Policor i Kosovës ka suspenduar të 19 zyrtarët policorë.

Të ngjashme