Prokuroria Themelore e Pejës, Departamenti i Përgjithshëm, ka kërkuar nga Gjykata Themelore e Pejës, caktimin e paraburgimit për të pandehurin K.S., me dyshimin se i njëjtit kishte për të kryer veprën penale “Legalizimi i përmbajtjes se rreme”, nga neni 395, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Prokuroria Themelore e Pejës ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj të pandehurit K.S., shtetas norvegjez, për shkak se i njëjti me datën 25 prill 2019, në Stacionin Policor të Pejës, me rastin e procedimit nga ana e policisë si të dyshuar për veprën penale “Dhunë në familje”, i pandehuri K.S, me anë të dokumentit të rremë, i vë në lajthitje zyrtarët policorë duke paraqitur pasaportën e vëllait të tij binjak, me emër Ch.S., ndërsa me datën 15 maj të këtij viti, nga ana e Policisë së Kosovës, përmes zyrës për bashkëpunim ndërkombëtar është vërtetuar identiteti i tij i vërtetë, K.S”, thuhet në komunikatë.
Seanca dëgjimore për caktimin e kësaj mase pritet të mbahet para gjyqtarit të procedurës paraprake.