Komisioni për të Drejtat e Njeriut, për nder të Ditës së Komunitetit Egjiptasit, ka organizuar takim me përfaqësueset e grave të këtij komuniteti, raporton Ekonomia Online.
Deputeti Veton Berisha kërkoi që gratë egjiptiane të kenë qasje dhe trajtim të barabartë.
“Komuniteti egjiptian ka nevojë dhe kërkon më shumë mundësi dhe qasje si dhe trajtim të barabartë Për ne ka shumë rëndësi që gruaja e komunitetit egjiptian të jetë në qendër të vëmendjes”, tha Berisha.
Ndërsa deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Mexhide Mjaku-Topalli, tha se gratë deputete janë në monitorim të Ligjit për Barazi Gjinore dhe një Ligji të ri për dhunën në familje.
“Është hera e parë që po takohemi në një format të tillë, jemi në monitorim të Ligjit për Barazi Gjinore dhe jemi na lëvizje për një ligj të ri për dhunën në familje. Ne e dimë që te komuniteti juaj por edhe tek të tjerët problem mbetet martesa e hershme”.
“Mua më gëzon fakti që këtu kemi përpara edhe studente, kështu që mos mendoni që jeni vetëm na keni neve mbrapa jush”, tha Topalli.
Deputetja nga AAK-ja, Teuta Haxhiu tha se tema kryesore e komunitetit egjiptian duhet të jetë shkollimi.
“Ne të gjithë bashkë duhet të bëjmë shumë më shumë në shkollimin dhe arsimim e fëmijëve tanë në këtë rast iu ftoj që ju fokusin ta keni tek arsimi. Unë pretendoj që tema kryesore të jetë shkollimi”.
“Andaj ju ftoj që ju të mos hezitoni dhe të iu drejtoheni komisionit për arsim, andaj këtu ju e keni përkrahjen tonë dhe të gjithë qytetarëve”.
Ministrja e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Adriana Hoxhiq, tha se të gjithë mburremi që kemi një Kosovë e cila është multi-etnike, raporton EO.
“Është kënaqësi që sot jam këtu në mesin e grave të fuqishme që tregojnë një fuqi dhe gatishmëri. Të gjithë mburremi që kemi një Kosovë e cila është multi-etnike”.
Ndërsa Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, i siguroi ata se do t’i mbështes.
“Unë ju siguroj për bashkëpunimin korrekt qe mundeni me pas me Avokatin e Popullit. Ju siguroj për gatishmërinë time për shqetësimet që mund të keni”.