Organizata studentore, Paqja Studentore, ka reaguar përmes një komunikate për situatën e fundit të krijuar në Qendrën e Studentëve meqë rast disa studentë janë ankuar se po u mungojnë gjërat e tyre.
“Me vendimin zyrtar të Qendrës të Studentëve më 15.5.2020, studentëve iu mundësua që t’i tërheqin nga dhomat e tyre të gjitha gjësendet që i kishin lënë prej dy muajsh. Sot, më datë 18.5.2020, ditë e hënë, sipas orarit zyrtar të paraqitur nga QS-ja, tërheqja e gjësendeve do të bëhej për studentët banues të Konvikteve III dhe VIII. Pas tërheqjes së gjësendeve të tyre, dhjetëra studentë kanë paraqitur ankesat e tyre që gjësendet e tyre personale, si: veshjembathje, kursime të parave etj, janë duke munguar ose janë dëmtuar plotësisht”, thuhet në komunikatë.
Në këtë situatë Paqja Studentore i ka bërë thirrje Qendrës së Studentëve dhe Policisë së Kosovës që të kontaktojnë me të gjithë studentët që janë dëmtuar dhe së bashku me ta t’i identifikojë dëmtuesit/vjedhësit eventualë të gjësendeve të tyre.
“Paqja Studentore i konsideron këto veprime vulgare si dhe të papranueshme që u janë bërë studentëve të Universitetit të Prishtinës, që banojnë në Qendrën e Studentëve”, përfundon komunikata.