Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) ka organizuar sot tryezën “Vendimmarrja për investimet kapitale në komuna”.
Selatin Kllokoqi, nga INDEP ka thënë se është e rëndësishme për qytetarët e komunave që të jenë pjesëmarrës në vendimmarrjen e shpërndarjes së investimeve kapitale, raporton Ekonomia Online.
“Është e rëndësishme për qytetarët e komunave që të jenë pjesëmarrës në vendimmarrjen e shpërndarjes së investimeve kapitale. Mirëpo me kalimin e kohës, tash e disa vite s’mbetur fshat nëpër komuna që nuk ka pasur ndonjë investim, mirëpo edhe buxheti i komunave nuk është i madh që t’i mbulojë këto shpenzime”.
Ai ka shtuar se duhet të ngritet vetëdija e qytetarëve në mënyrë që ata të jenë më aktiv dhe të kërkojnë nga komunat të investojnë.
“Duhet të punojmë që të ngrisimin vetëdijen e qytetarëve që të jenë më aktiv, mos të presim që dikush të vijë në derë te ne dhe të na thotë a keni nevojë diçka për të investuar. Ne duhet vet që si qytetarë aktiv të interesohemi edhe për çështjet e komunës, për çështjet e investimeve dhe të marrim pjesë në këto konsultime dhe të shtrojmë kërkesa direkte në komunë”.
Mehmet Rama, zyrtar i prokurimit në komunën e Drenasit, tha se sfidë në komunën e tij është numri i madh i projekteve.
“Sfidat më së shumti i kemi pasur te numri i madh i projekteve. Vitin që shkoi kanë qenë 131 projekte kapitale të aprovuara nga Kuvendi, ndërsa 12 janë marrë prej ministrisë së Infrastrukturës, kur t’i shtohen kësaj edhe kontratat kornizë, furnizimeve, shërbimeve, por edhe ato nën vlerën 10 mijë e nën 1 mijë, janë sjellë diku 200 që për këtë numër ka qenë shumë i madh. Edhe mbikëqyrja ka pasur të njëjtat sfida, me gjithëse ne e kemi kompaninë mbikëqyrëse.
Në këtë tryezë është prezantuar analiza “Investimet kapitale në komuna dhe roli i qytetarisë aktive në përcaktimin e prioriteteve”.
DAradan Abazi, hulumtues në INDEP, duke prezantuar analizën ka thënë se ka shumë sfida që lidhen me planifikimin e investimeve kapitale. Ai ka shtuar se lista e investimeve kapitale hartohet në bazë të preferencave partiake.
“Ka një mori sfidash që lidhen me planifikimin e investimeve kapitale. Siç e dini që në muajin maj fillojnë negociatat e brendshme të komunave për investime kapitale, aty hartohet një listë fillestare e investimeve kapitale për të cilën ne e kemi pa që nuk ka një standard se si përcaktohen se cili projekt është më prioritar sesa tjetri. Është një listë fillestare e cila bëhet në përceptimin e të gjithëve, ajo bëhet nganjëherë edhe me preferenca të bastioneve politike dhe preferenca të tjera”.